Nga sheshi i protestës në ditën e 62-të, doli në podiumin para Kryeministrisë edhe një studente.
Ajo akuzoi qeverinë jo vetëm për skandalet korruptive, por edhe për abuzimin dhe indiferencën ndaj studentëve dhe universiteteve.
Ajo tha se qytetarët nuk duhet t’i binden më qeverisë, të protestojnë deri në dorëheqjen e Edi Ramës. Sipas saj, qeveria kishte lekë për një koncert, por jo për mjetet e praktikave të studentëve të Mjekësisë.
“Nuk jemi kurrsesi pro kësaj qeverie apo atyre deputetëve të Parlamentit që i binden urdhrave të qeverisë e që bien ndesh me interesat e qytetarëve. Kjo qeveri ka para për të paguar 4,2 mln euro për Kanye West por nuk ka para për ata studentë të Mjekësisë që kryejnë praktikat pa doreza dhe mjete të nevojshme”, tha ajo.
Më tej studentja deklaroi se ata nuk bëjnë pakt me politikën e cila nga ana e saj ka bërë pakt me djallin. Për të, politika dhe qeveria janë binom i dështuar.
“Jemi këtu kundër atyre politikanëve që janë kundër interesave të qytetarëve. Kryeministri bashkë me deputetët e tij janë një binom i dështuar i politikës shqiptare. Për shkak i është dashur të bëjë pakt me djallin dhe padrejtësinë. I bëj thirrje këtyre politikanëve dhe kryeministrit të heqë dorë nga populli shqiptar dhe Shqipëria, dorëheqje”, përfundoi ajo.



