Pjetër Kaza, 57 vjeç, u ekzekutua me armë zjarri këtë të diel (1 qershor) në oborrin e shtëpisë së tij në zonën bregdetare të Tales, në Lezhë. Ai është viktima më e fundit e një gjakmarrjeje të përgjakshme që ka nisur prej vitit 1994 mes fiseve Kaza dhe Gjini, me origjinë nga Oroshi i Mirditës.
Ngjarja e rëndë ndodhi në rrethana që ende po hetohen nga autoritetet, ndërkohë që pista kryesore e hetimeve lidhet me hasmërinë e trashëguar mes dy familjeve.
Pjeter Kaza i vrarë ne Tale (1 qershor 2025)
Ky nuk është viktima e parë në këtë zinxhir vrasjesh
Më 6 maj 2024, Agustin Kaza, 44 vjeç, vëllai i Pjetrit, u qëllua me armë zjarri në tarracën e një kafeneje në komunën Schaarbeek të Brukselit.
Agustin Kaza i vrarë në Belgjikë (28 prill 2024)
Ai u qëllua me katër plumba, një në kokë dhe tre në gjoks, nga një person i maskuar, dhe ndërroi jetë një javë më pas në spital, pa mundur t’u mbijetojë plagëve të rënda.
Të dy vëllezërit Kaza, Pjetri dhe Agustini, janë gjithashtu vëllezër të Martin Kazës, i dënuar për vrasjen e dy vëllezërve Gjini në vitin 1997, ngjarje që u regjistrua në Mirditë.
Martin Kaza u dënua me 22 vite burg për vrasjen e Dod dhe Agustin Gjinit, të cilët dyshoheshin se kishin ekzekutuar Ndue Kazën, vëllain e tyre dhe ish-shef i Krimeve në Policinë e Shtetit, më 1994.
Pas një periudhe në arrati, Martin Kaza u arrestua në Mbretërinë e Bashkuar dhe u ekstradua në Shqipëri në dhjetor të vitit 2017, ku aktualisht po vuan dënimin në burg.
Pas vrasjes së Pjetër Kazës, policia ka ngritur një grup të posaçëm hetimor, i cili po punon për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Zona përreth vendit të krimit është rrethuar nga forcat e rendit, ndërsa janë marrë në pyetje dëshmitarë dhe familjarë që mund të kenë dijeni mbi autorët apo motivet.
Hetimet po vazhdojnë në disa pista, por gjakmarrja mbetet skenari më i mundshëm për atentatin e fundit.