Detaje të reja kanë dalë nga krimi makabër në fshatin Frashër të Fierit, ku 26-vjeçarja Emelinda Rama dyshohet se ka vrarë babanë e saj, Anesti Rama, duke e mbytur me tel. Gazetarja Klodiana Lala tha në emisionin “Log.” në News 24 se e reja punonte në një serë, ndërsa viktima ishte roje.
Sipas dëshmisë së Emelindës, motivi i krimit ishte kontrolli i tepruar i të atit mbi jetën e saj, pasi ai ishte “fanatik” dhe nuk e lejonte të dilte apo të jetonte sipas dëshirës.
Fillimisht, familjarët kishin pretenduar se 56-vjeçari kishte humbur jetën aksidentalisht pas një rrëzimi. Por dyshimet nisën nga mjeku që konstatoi një shenjë në pjesën e qafës. Ekspertiza paraprake ligjore konfirmoi se shenja ishte shkaktuar nga shtrëngimi me tel.
Lala theksoi se hetimet po vijojnë për të zbuluar nëse 26-vjeçarja ka vepruar e vetme apo ka pasur ndihmës. Deri më tani, nëna e vajzës nuk ka dhënë asnjë dëshmi.
Klodiana Lala: Familja e tij pretendonte se kryefamiljari kishte rënë aksidentalish dhe për shkak të rënies kishte humbur edhe jetën. Ishte mjeku i pari që dyshoi për shkak se te pjesa e fundit kishte një shenjë e cila më pas u provua sipas ekspertizës paraprake ligjore se vinte për shkak të shtrëngimit me një tel.
26-vjeçarja ka vrarë babanë e saj duke e shtrënguar me tel në fyt. Ajo pretendon se babai ishte fanatik, pra nuk e lejonte që ajo të argëtohej dhe të bënte jetën e saj ndërkohë që 26-vjeçarja punonte në një serë, babai punonte roje. Nëna nuk ka treguar.. po punohet për të parë nëse ka persona tjerë të përfshirë.