Detaje të reja tronditëse dalin nga krimi i rëndë në familje që ndodhi në fshatin Frashër të Fierit mbrëmjen e 23 korrikut. Emelinda Rama, 26 vjeç, mbyti me tel babanë e saj, Anesti Rama, 56 vjeç, në banesën ku jetonin së bashku.
Gazetari Igli Çelmeta raporton se vajza jetonte me prindërit që prej ndarjes nga partneri dhe ka rrëfyer se shkaku i konfliktit ishte kontrolli dhe fanatizmi i të atit, që sipas saj “nuk e linte të dilte dhe të vishej si donte”.
Krimi u raportua fillimisht si aksident. Vajza deklaroi në polici se babai kishte ndërruar jetë pasi ishte rrëzuar në tualet. Por shenjat e mbytjes në qafë vunë në lëvizje grupin hetimor, që zbuloi se nuk bëhej fjalë për një vdekje natyrale apo aksidentale.
Hetimet zbuluan gjithashtu se nëna e saj, 53-vjeçarja V. R., ka ndihmuar të bijën në pastrimin e trupit të viktimës, duke tentuar të fshehin gjurmët e krimit dhe të inskenojnë një vdekje të rastësishme. Të dyja kanë “thurur” versionin përpara se të thërrisnin policinë, por janë zbuluar nga hetimet e shpejta dhe ekzaminimi mjeko-ligjor.
Aktualisht, e ëma është e shoqëruar nga policia dhe pritet përcaktimi i përgjegjësisë së saj penale. Emelinda Rama ka pranuar autorësinë e krimit dhe ndodhet në ndalim. Hetimet vijojnë në bashkëpunim me Prokurorinë e Fierit për të dokumentuar plotësisht rrethanat e ngjarjes dhe motivet e vërteta që çuan në këtë akt ekstrem.