Kreu i SPAK, Klodian Braho, ka raportuar më 3 mars në Bruksel përpara përfaqësuesve të Komisionit Europian lidhur me progresin e Shqipërisë në kapitujt 23 dhe 24 të negociatave të anëtarësimit, që lidhen me gjyqësorin, të drejtat themelore dhe luftën kundër korrupsionit.
Burime nga Brukseli bëjnë me dije se Klodian Braho i është përgjigjur me detaje pyetjeve të përfaqësuesve të DG ENEST, Drejtoria e Përgjithshme për Zgjerimin dhe Fqinjësinë Lindore në Komisionin Europian, e cila ka për detyrë menaxhimin e marrëdhënieve me vendet kandidate dhe monitorimin e reformave që lidhen me sundimin e ligjit, zhvillimin ekonomik dhe reformën e administratës publike.
Takimi u zhvillua në kuadër të mbledhjes së 7-të të Komitetit të Drejtësisë dhe Sigurisë, e cila u miratua në axhendë nga ambasadorët e 27 vendeve anëtare të BE-së. Në fokus të diskutimeve ishin reformat kyçe për integrimin, veçanërisht sigurimi i pavarësisë së gjyqësorit, forcimi i sundimit të ligjit dhe veprimet konkrete kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Në materialet paraprake të takimit theksohet se Shqipëria duhet të vijojë përpjekjet për forcimin e zbatimit të ligjit, përafrimin e politikave të vizave dhe menaxhimin e migracionit të paligjshëm.
Po ashtu kërkohen rezultate operacionale në luftën kundër krimit të organizuar, trafikimit të drogës dhe veçanërisht kundër kultivimit të kanabisit, si dhe masa më efektive për parandalimin e pastrimit të parave.
Ky raportim konsiderohet një moment i rëndësishëm për procesin e integrimit, pasi shtetet anëtare të BE-së pritet të vendosin nëse do t’i japin dritën jeshile raportit paraprak IBAR për Shqipërinë.
Ky raport lidhet me zbatimin e kritereve të kapitujve 23 dhe 24 dhe është kusht i domosdoshëm për të vijuar procesin e mbylljes së grupkapitujve të negociatave të anëtarësimit.
Sipas zyrtarëve europianë, roli i SPAK dhe i Gjykatës së Posaçme (GJKKO), si dhe pavarësia e tyre në hetimin dhe gjykimin e rasteve të korrupsionit dhe krimit të organizuar, mbetet një shtyllë themelore e reformës në drejtësi të vitit 2016.
Komisioni Europian vlerëson se SPAK ka kontribuar në krijimin e një historiku më të besueshëm në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, përfshirë edhe hetimin e zyrtarëve politikë të nivelit të lartë.


