Kreu i Këshillit të Lartë Gjyqësor, Ilir Rusi kërkoi bashkëpunim institucional për të ruajtur pavarësinë e sistemit të drejtësisë dhe rritur besimin tek publiku.
I pranishëm në ceremoninë e nisjes së vitit të ri gjyqësor, Rusi theksoi se sistemi gjyqësor ka ecur përpara, por përballet ende me shumë sfida, për të cilat, theksoi ai, duhet më shumë punë.
Ai theksoi se sfidat kërkojnë vizion strategjik, përmirësime në infrastrukturë si edhe forcimin e sigurisë në gjykata.
“Mbështetja e SHBA, BE, organizatave ndërkombëtare ka kontribuuar në përmirësimin e standarteve profesionale, hartimin e akteve ligjore dhe forcimin dhe monitorimin e reformave. Në këtë kuadër, sistemi gjyqësor përballet ende me sfida, por jemi të vendosur t’i përballojmë me angazhim. Sfidat e ardhme kërkojnë vizion strategjik, modernizim procedurash dhe sisteme dixhitale dhe forcimin e sigurisë në gjykata. Drejtësia të funksionojë jo vetëm në letër por edhe në praktikë. Roli i qytetarit është thelbësor, besimi i publikut përbën themelin. Ky vit i ri gjyqësor synon hap të rëndësishëm ndaj forcimit të besimit të publiku. Uroj që vit i ri të shoqërohet me vendime të drejta. Le të punojmë së bashku për të ruajtur integritetin e sistemit, mbështetur pavarësinë e gjyqtarëve. KLGJ shpreh angazhimin e tij për forcimin e sistemit të drejtësisë dhe rritjen e besimit të qytetarëve “, u shpreh Rusi.


