Pas dështimit të Lëvizjes Vetëvendosje për të siguruar votat e nevojshme për krijimin e qeverisë së re, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka reaguar ashpër duke e quajtur këtë moment “fundin e një mashtrimi politik që vendit i ka kushtuar shumë”.
“Ky është fundi i një mashtrimi politik që vendit i ka kushtuar shumë, si me izolim ashtu edhe me përçarje. Albin Kurti nuk do të jetë më kryeministër i Kosovës. Epoka e qeverisjes së tij ka marrë fund,” deklaroi Krasniqi.
Ai akuzoi kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, dhe Lëvizjen Vetëvendosje për përgjegjësi të plotë ndaj krizës politike, ekonomike dhe diplomatike që po kalon vendi.
“Fajtor për krizën politike, ekonomike e diplomatike pa dyshim është Albin Kurti e Vetëvendosje. Ai nuk la vend as për dialog e as për kompromis,” shtoi Krasniqi.
Sipas tij, rruga e vetme përpara është formimi i institucioneve të reja pa Albin Kurtin në krye të qeverisë.
“Sa më parë që të shkojmë në formimin e institucioneve pa Albin Kurtin, aq më mirë është për vendin,” përfundoi ai./Telegrafi/


