Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur me ceremoni shtetërore presidentin e Bullgarisë, Rumen Radev, në Prishtinë, raporton Anadolu.
Pas takimit, i cili zgjati për rreth një orë në Zyrën e Presidentes, Osmani dhe Radev mbajtën konferencë për media.
Presidentja Osmani, duke i uruar mirëseardhje homologut bullgar, tha se ky takim vjen pas vizitës së saj në Bullgari gjatë vitit të kaluar.
Osmani tha se nga viti 1999 është shënuar angazhimi parë i Bullgarisë për paqen në Kosovë, ndërsa ajo ka vazhduar mbështetjen për Kosovën në çdo etapë të mëtejshme, si me pjesëmarrje në KFOR, në anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare e të tjera.
Osmani tha se duke ditur sfidat e sigurisë, është e domosdoshme që Kosova të bëjë hapa përpara në anëtarësimin në NATO, derisa po ashtu tha se Kosova ka shpresë në mbështetjen e Bullgarisë në anëtarësimin e Kosovës në Bashkimin Evropian.
“Udhëheqja e guximshme dhe veprimet vendimtare të aleatëve tanë në familje euroatlantike janë të nevojshme për të përshpejtuar pranimin e bazuar në merita të vendeve demokratike të rajonit edhe në BE edhe në NATO sepse çdo hezitim do t’i krijonte një boshllëk duke i dhënë mundësi aktorëve keqdashës ta destabilizojnë jo vetëm Kosovën, por edhe rajonin dhe më tej”, theksoi Osmani.
Osmani tha se Kosova e sheh Bullgarinë si shtet mik, si partner dhe si aleat, prandaj është e gatshme me plot vullnet të bashkëpunojë në fusha të ndryshme të partneritetit bilateral, nga ekonomia, siguria e arsimi, deri te fusha e sigurisë dhe mbrojtjes.
Presidenti i Bullgarisë, Rumen Radev, vlerësoi nivelin e lartë të dialogut politik midis Kosovës dhe Bullgarisë, derisa theksoi se në takim me presidenten Osmani shqyrtuan hapa konkretë për zhvillimin e marrëdhënieve ndërshtetërore.
Ai tha se shkëmbimi mallrave midis Kosovës dhe Bullgarisë ka akoma potencial për zhvillim të ardhshëm, derisa tha se ka nevojë për konkretizimin e memorandumeve aktuale dhe nënshkrimin e marrëveshjeve të reja në këtë aspekt.
Radev tha se Bullgaria dhe Kosova kanë potencial për thellimin e bashkëpunimit në shumë fusha si në energjetikë, bujqësi, arsim, shkencë, kulturë dhe turizëm, si dhe duhet të bashkëpunojnë për prodhim të përbashkët për tregun e tretë.
“Kur flasim për integrimin, nuk mund të lejojmë që ta lëmë Kosovën vetëm në fushën e sigurisë, dhe arritja e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse për neutralizimin e tensioneve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës është e rëndësishme për sigurinë, stabilitetin dhe mirëqenien e rajonit tonë, veçanërisht në kontekstin e komplikuar gjeopolitik në të cilin gjendemi aktualisht”, tha Radev.
Radev tha se Bullgaria është nga vendet e para që në vitin 2008 e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, derisa shtoi se shteti bullgar do ta mbështesë Kosovën në anëtarësimin në Këshillin e Evropës.
Radev pas takimit me Osmanin do të pritet në takim edhe nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ndërsa po ashtu, atij do t’i ndahet “Çelësi i Qytetit”, nga kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama.



