Operacioni “Siguria Detare” ka çuar në bllokimin e 30 mjeteve lundruese gjatë javës së fundit, nga Ksamili në Koman. Sipas Policisë Kufitare, 12 mjete janë kapur duke lundruar brenda perimetrit të sigurisë, në afërsi të pushuesve, duke rrezikuar drejtpërdrejt jetën e tyre. Drejtuesit janë ndëshkuar me nga 100 mijë lekë gjobë secili.
Në total janë sekuestruar 18 jet ski, 7 skafe, 3 gomone dhe 2 varka metalike me motor.
Policia njofton gjithashtu se ka ndërhyrë në 7 raste emergjente në det dhe ka shpëtuar 13 persona, të cilët ndodheshin në rrezik për shkak të dallgëve apo defekteve në mjete.
Kontrollet do të vijojnë në të gjithë bregdetin dhe hapësirat ujore të vendit për të ndëshkuar çdo shkelës që vë në rrezik jetën e të tjerëve apo vepron pa dokumentacion. Policia bën thirrje për respektim strikt të rregullave të sigurisë.