Kryeministri Edi Rama, ka nisur konsultimet me prindërit lidhur me sigurinë e nxënësve në shkolla, pas ngjarjes së rëndë që ndodhi te shkolla “Fan Noli”, ku u vra 14-vjeçari Martin Cani pas një sherri me bashkëmoshatar të tij.
Rama tha se deri në fund të dhjetorit do firmoset një marrëveshje për një sistem të ri të sigurimit të shkollave.
Sipas tij, bëhet fjalë për një sistem i testuar dhe i provuar në Emiratet e Bashkuara që mundëson ndjekjen me kamera të të gjithë procesit mësimor brenda mureve të oborrit të shkollës.
Kryeministri theksoi se se do të aplikohet edhe kontrolli dixhital për të parë çdo send metalik brenda çantës së nxënësve, përfshirë edhe celularin që është i ndaluar.
“Është ngritur dhe një sistem i posaçëm për rastet e dhunës dhe aty kemi numra të raportuar dhe ndërveprime që kanë drejtuar një pjesë. Ajo që besoj ju intereson juve më shumë sesa çfarë është bërë, është se çfarë konkretisht do të bëjmë ne më shumë për të krijuar më shumë qetësi në radhë të parë në aspektin psikologjik për gjithë familjen. Nëse ka diçka që ky rast e pret të gjithë pa përjashtim, është qetësia në raport se çfarë ndodh me fëmijën kur prindi e lë te dera e shkollës apo fëmijë të rritur kur fëmija del për të shkuar në shkollë dhe shkon në shkollë.
Kemi një projekt që e kemi filluar prej një viti dhe po e finalizojmë tani dhe deri në fund të dhjetorit do firmosim marrëveshjen, bëhet fjalë për një sistem të ri të sigurimit të shkollave. Një sistem i testuar dhe i provuar më së miri në Emiratet e Bashkuara me rezultatet jashtëzakonshme që mundëson ndjekjen me kamera të të gjithë procesit mësimor brenda mureve te oborrit te shkollës. Çdo prind në çdo kohë, mund të ketë akses për të parë fëmijën, klasën, aktivitetin, mësuesin, duke bërë një kërkesë pranë shkollës. Çdo lloj situate jashtë disiplinës mësimore është e regjistruar.
Rezultatet e atij sistemi janë nxjerrë nga një ndjekje që është bërë atje dhe faktikisht ka një rënie drastike të rasteve të bullizmit të dhunës e kështu me radhë. Dhe tjetra e rëndësishme do e kombinojmë me element plus, kontroll dixhital i të gjitha hyrjeve dhe daljeve për çdo lloj mjeti metalik ose telefon që fëmijët mund të kenë nëpër xhepa e çanta që të zbatojmë strikt rregullin e ndalimit të celularëve në shkolla”, tha Rama.