Një konflikt mes disa personave në lagjen nr. 15, në zonën e Spitallës, Durrës, ka përfunduar në dhunë fizike, duke lënë të plagosur dy persona.
Ngjarja ka ndodhur paraditen e sotme dhe sipas informacioneve paraprake, sherri ka nisur për motive ende të paqarta, ndërsa situata ka degjeneruar në përleshje fizike.
Njëri prej personave të përfshirë në konflikt mbante me vete një armë zjarri dhe ka goditur një nga të lënduarit me tytën e armës.
Të plagosurit janë transportuar menjëherë në spital, ku ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Policia ka mbërritur në vendngjarje dhe ka nisur punën për identifikimin dhe shoqërimin e personave të përfshirë, si dhe sekuestrimin e armës së përdorur në konflikt.


