Vitin e kaluar, J. D. Vance tronditi Evropën me një fjalim që tregonte se Shtetet e Bashkuara synonin të ndiqnin një rrugë tjetër. Këtë vit, në Konferenca e Sigurisë në Mynih, që në momentet e para u vendos toni i kërkimit të aleancave të reja dhe i riorientimit strategjik, teksa Evropa po kupton se “shkëputja” graduale nga SHBA-të nuk mund të mbetet më vetëm në teori, por duhet të kthehet në praktikë.
Në përforcim të idesë se SHBA-të po e “shtyjnë” faktikisht Evropën drejt aleancave të reja, sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio dha një sinjal të qartë për qëndrimin e tij duke anuluar në momentin e fundit takimin me liderë dhe zyrtarë evropianë mbi përpjekjet për paqe në luftën në Ukrainë.
Ky veprim u interpretua nga disa kryeqytete evropiane si shenjë e rënies së interesit të Uashingtonit për të përfshirë Evropën në planifikimin amerikan për zgjidhjen e konfliktit në Ukrainë.
Rubio ishte planifikuar të merrte pjesë në një takim me udhëheqësit e Gjermanisë, Polonisë, Finlandës dhe të Komisionit Evropian në Mynih, të premten pasdite. Megjithatë, ai e anuloi në çastet e fundit për shkak të “vështirësive” në agjendë.
“Sekretari nuk do të marrë pjesë në takimin për Ukrainën për shkak të numrit të madh të angazhimeve të tjera në të njëjtën kohë”, deklaroi një zyrtar amerikan, duke theksuar se kreu i diplomacisë amerikane “po merret me çështjen ruso-ukrainase në shumë prej takimeve të tij këtu në Mynih”. Një zyrtar evropian, në kushte anonimiteti, e cilësoi anulimin si “skandaloz”.
Sipas Financial Times, që raportoi i pari lajmin për anulimin, zhvillimi vjen në një moment kur administrata e Donald Trump po distancohet gjithnjë e më shumë nga aleatët evropianë dhe po kërkon të ushtrojë presion mbi Ukrainën për një marrëveshje me Rusinë. “Takimi nuk kishte më kuptim pa pjesëmarrjen e SHBA-ve”, citohet të ketë thënë një zyrtar tjetër evropian për gazetën britanike.
Mesazhi duket se u mor nga kancelari gjerman, Friedrich Merz, i cili hapi punimet e Samitit, që ai e ka quajtur “sizmiograf i zhvillimeve globale”. Tradicionalisht, fjalimi i kancelarit gjerman mbahej në ditën e dytë të Konferencës, por Merz e zhvendosi në hapje për të vendosur tonin që në fillim.
Po jetojmë në një periudhë ndryshimesh të mëdha, theksoi Merz, duke iu referuar planeve revizioniste të Moskës dhe rolit gjithnjë e më të madh ushtarak të Kinës.
“Politika e fuqive të mëdha është e ashpër dhe e paparashikueshme”, tha ai, duke theksuar se detyra e parë e evropianëve është “t’i pranojnë këto realitete pa fatalizëm. Duhet të besojmë në forcat tona dhe t’u përgjigjemi këtyre sfidave duke përcaktuar objektivat dhe kapacitetet tona. Mbi të gjitha, liria që garantohet nga siguria”.
Megjithatë, shtoi ai, “duhet të ndryshojmë mënyrën e të menduarit”. Fuqia e tepruar kërcënon lirinë, por edhe mungesa e fuqisë e bën këtë në një mënyrë tjetër. Nuk mjafton të reagojmë ndaj lëvizjeve dhe vullneteve të të mëdhenjve; duhet të përcaktojmë agjendën tonë. “Udhëheqje së bashku me partnerët, jo fantazi hegjemoni”, theksoi ai për qasjen e Gjermanisë.
Sa i përket boshtit të qasjes së re, Merz përmendi forcimin ushtarak të Gjermanisë me synim uljen e varësisë, forcimin e idesë evropiane, me fokus në thelbin, reduktimin e burokracisë dhe rregullimit të tepërt, si dhe ndërtimin e një marrëdhënieje të re transatlantike që do të shërojë përçarjen me SHBA-të.
“Demokracitë kanë nevojë për partnerë dhe aleatë. Askush nuk na imponoi varësinë nga SHBA-të. Ishte një zgjedhje e jona, të cilën tani po e lëmë pas”, theksoi ai, duke shtuar se Evropa synon një rrjet të ri partnerësh “me të cilët mund të mos na lidhë gjithçka, por na lidhin shumë gjëra”. Ai përmendi konkretisht Kanadanë, Indinë, Turqinë, Afrikën e Jugut dhe Brazilin.
Para fjalimit të Merz, Deutsche Welle vërente se, pas çështjes së Groenlandës, një tjetër tronditje për BE-në, “Evropa është plotësisht zgjuar dhe po tregon qartë se tani po sheh në të gjitha drejtimet, jo vetëm drejt Shteteve të Bashkuara”.
Sipas medias gjermane, marrëveshjet tregtare të BE-së me grupin Mercosur dhe me Indinë janë dëshmi e vetëbesimit të ri të Evropës. Berlini, theksonte veçanërisht edicioni grek i DW, “deklaron hapur se po kërkon aleanca të reja të qëndrueshme dhe afatgjata, pasi të vjetrat po lëkunden”. Pyetja mbetet se kur do të ndryshojë drejtim “anija e rëndë” e BE-së.
Mediat gjermane komentuan se Merz iu përgjigj në mënyrën e tij fjalimit të vitit të kaluar të Vance, por njëkohësisht parapriu edhe fjalimin e pritshëm të Rubios. Pyetja, sipas disa analistëve gjermanë, nuk është vetëm nëse e dëgjuan amerikanët, por nëse “do ta dëgjojnë edhe evropianët”.
Pas orës 20:00 nisi fjalimi i presidentit francez, Emmanuel Macron, i cili pritej me interes të madh. Ai dërgoi fillimisht një “mesazh shprese dhe vendosmërie. Evropa mund të bëhet më e fortë. Na duhet një qasje pozitive”.
Duhet të jemi krenarë si evropianë dhe të promovojmë arritjet tona, theksoi ai, dhe pasi iu referua çështjes së Ukrainës, nënvizoi se “nuk mund të ketë paqe pa evropianët”.
“Çdo gjë që ka të bëjë me evropianët duhet të vendoset edhe nga evropianët. Ne do të vazhdojmë të jetojmë pranë Rusisë dhe këtë fqinjësi duhet ta përcaktojmë vetë”, tha ai.
“Në këtë kuadër të ri duhet të bëhemi më të fortë, më të pavarur. Nuk kam parasysh Francën. Nuk kam parasysh Gjermaninë. Kam parasysh Evropën në tërësi. Ta shohim fuqinë si evropianë. Të çlirohemi nga varësitë në disa sektorë. Të vendosim objektiva të qarta”, shtoi Macron.
Zëra në favor të shkëputjes
Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikën e Jashtme, Kaja Kallas, dha tonin e politikës së Unionit në një panel që, sipas DW, u shndërrua në një debat të tërthortë euro-amerikan.
“Cili është ndryshimi kur Rusia bën luftë? Ajo e bën e vetme, sepse nuk ka aleatë, ndërsa kur SHBA-të bëjnë luftë, ne shkojmë me ju dhe humbasim njerëzit tanë në atë luftë. Diferenca mes jush dhe fuqive të tjera është se ju keni aleatë”, theksoi ajo.
Me interes të veçantë ishte thirrja e saj që BE-ja të shqyrtojë marrjen e borxhit të përbashkët për shpenzimet e mbrojtjes, siç ndodhi gjatë pandemisë, kur u konsiderua e nevojshme përballja me një kërcënim të përbashkët për gjithë Evropën. Sipas saj, e njëjta logjikë vlen edhe sot, ndaj huamarrja e përbashkët “ka kuptim”, megjithëse ajo respekton “ndjeshmëritë” e opinionit publik gjerman.
Një qëndrim të ngjashëm shprehu edhe presidenti i Finlandës, Alexander Stubb, i cili theksoi se evropianët mund ta sigurojnë vetë mbrojtjen e tyre, duke shtuar se “mund të ndihmojmë edhe amerikanët, nëse do të kenë nevojë”.
Mesazhi vjen madje edhe nga industria gjermane: “Mbrojtja e Evropës duhet të planifikohet dhe të përgatitet, nëse është e nevojshme, edhe kundër Uashingtonit”.


