Këtë të shtunë u zhvillua në Tiranë parada e komunitetit LGBT+, që nisi nga instalacioni “Reja” dhe u drejtua drejt zonës së Bllokut, për t’u ndalur në Sheshin Nënë Tereza, dhe përfundoi pranë Kuvendit të Shqipërisë.
Në event ishte i pranishëm ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri, Silvio Gonzato, i cili u shpreh se diskriminimi ndaj komunitetit LGBT+ duhet të marrë fund dhe se respekti për të drejtat e tyre është i domosdoshëm për një shoqëri demokratike.
“Çfarëdo lloj diskriminimi në gjuhë, në besim fetar, në mendim politikë ose mosha dhe çdo gjë tjetër përfshirë orientimin seksual është e ndaluar dhe për këtë arsye jam këtu sot. Jam i kënaqur që jam këtu edhe me miken time Albana. Albana e di që ke një punë të vështirë por dua që të them sot se ne jemi këtu sot që të jemi përkrah jush dhe t’ju mbështesim, puna që bëni ju dhe ministria është e rëndësishme për anëtarësimin e vendit në BE. Dhe jemi këtu për të përmbushur ato angazhime për planin e veprimet për çështjet LGBT, duhet që të ketë qasje në shërbime që të jenë miqësore dhe të ketë mbrojtje më të mirë ligjore. Sepse çfarë ky komunitet kërkon nuk është shembshuria, ky komunitet kërkon respekt”, tha ai.
Edhe ministrja e Shëndetësisë, Albana Koçiu, në fjalën e saj theksoi rëndësinë e pranimit dhe barazisë për të gjithë qytetarët. Ajo deklaroi se secili person ka të drejtë të zgjedhë mënyrën e jetesës së tij, pa diskriminim.
“Janë në zbatim plane veprimi, por kjo nuk mjafton. Çdo njeri ka të drejtë të ndihet i barabartë. Nuk duhet të ketë diskriminim për mënyrën se si jeton apo orientimin që ka një person. Nuk ka nevojë vetëm për strategji, por edhe për dialog të përditshëm, që çdo individ të jetojë i lumtur dhe të zgjedhë vetë mënyrën e jetesës së tij,” tha Koçiu.
RAPORTI
Raporti i dorëzuar para Komitetit të Kombeve të Bashkuara për të Drejtat Ekonomike, Sociale dhe Kulturore (CESCR) theksohet: Mungesa e të dhënave të ndara sipas etnisë dhe gjinisë;! Papunësia e lartë në komunitetet e margjinalizuara; Diskriminimi në aksesin në arsim, shëndetësi dhe strehim; Moszbatimi i ligjeve ekzistuese për mbrojtjen sociale.
Organizatat kërkojnë masa urgjente, duke përfshirë përmirësimin e legjislacionit dhe ndarjen e buxheteve në mënyrë të drejtë për të gjithë qytetarët. Komuniteti LGBT përballet me dhunë dhe diskriminim institucional
Në një raport të përbashkët të Aleancës LGBT dhe ILGA World, i paraqitur për shqyrtimin periodik universal (UPR) në OKB, theksohet se komuniteti LGBT në Shqipëri është i pambrojtur nga dhuna, diskriminimi dhe retorika homofobike nga zyrtarët publikë”.
Raporti evidenton: “Dhunën në familje dhe hapësira publike ndaj personave LGBT; Injorimin nga policia i denoncimeve për dhunë dhe abuzime; Mungesën e masave efektive për mbrojtjen dhe integrimin social të komunitetit; Ndikimin negativ të gjuhës së urrejtjes në media dhe politikë. Si zgjidhje, raporti kërkon zbatim të ligjit për barazinë gjinore dhe ndëshkimin e gjuhës së urrejtjes nga figurat publike”.