Firma turke Baykar do të jetë pronari i ri i gjigantit italian të aviacionit Piaggio Aerospace.
Sipas njoftimit nga Baykar, ministria italian e Bizneseve dhe “Made in Italy” ka miratuar shitjen e kompanisë gjigande të vendit në aviacion Piaggio Aerospace tek Baykar.
Baykar, kompania më e madhe në botë e mjeteve ajrore të armatosura pa pilot (UAV), ishte kompania që paraqiti ofertën më të mirë në tenderin e mbajtur për blerjen e Piaggio Aerospace, kompania e njohur e aviacionit italian e themeluar në vitin 1884.
Baykar fitoi tenderin duke lënë pas konkurrentët e tij që dhanë ofertat e tyre nga vende të ndryshme. Gjatë procesit të tenderit, Baykar kreu studimet e vlerësimit financiar me “Pragma Consultancy”.
Piaggio Aerospace, i njohur për prodhimin e avionëve të biznesit P.180 Avanti, i njohur si “Ferrari i qiellit” në industrinë e aviacionit, si dhe motorëve të avionëve, gjithashtu ka një rol strategjik në ekosistemin e industrisë së mbrojtjes të Italisë me shërbimet e tij të mirëmbajtjes, riparimit dhe inspektimit (MRO).
“Pas gjashtë vitesh pritjeje, ne i ofrojmë një të ardhme Piaggio Aerospace. Kjo kompani, e cila është një aset strategjik për vendin tonë, po rivitalizohet me një perspektivë afatgjatë prodhimi, ndërsa strukturat e korporatave dhe fuqia punëtore po mbrohen”, tha ministri italian i Bizneseve dhe “Made in Italy”, Adolfo Urso, duke shtuar se rifillimi i shërbimeve të kompanisë sigurohet nga një vizion i qartë dhe ambicioz industrial.