Gazetarja Klodiana Lala, e ftuar në emisionin “Kjo Javë” komentoi projektin Smart City, që qeveria e ka konsideruar si me rëndësi të madhe kombëtare, ndërsa ngriti shqetësimin për mungesën e transparencës nga autoritetet.
Gazetarja theksoi se kompania që do të merret me këtë projekt Presight AI Ltd, sipas Kongresit Amerikan, ka lidhje të dyshuara me qeverinë kineze dhe dyshohet për shkelje të të drejtave të njeriut.
Po ashtu ajo përmendi edhe një akuzë të ngritur nga ish zv kryeministri Arben Ahmetaj, i cili ndodhet në arrati, se marrëveshja është lobuar nga Ergys Agasi, biznesmeni që është shpallur në kërkim nga SPAK pasi akuzohet se ka vepruar si një grup i strukturuar kriminal bashkë me të pandehurit e tjerë të dosjes AKSHI.
Ajo përmendi si shqetësim edhe dyfishimin e pashpjeguar të kostos të projektit, që sipas saj, është dyfishuar nga 60 milionë në gati 120 milionë dollarë.
“Ditën e fundit kam arritur që te siguroj një email që drejtoria arsimore iu ka drejtuar 20 shkollave ku iu kërkojnë disa ekspertë, dhe të shikojnë nga afër sistemin e kamerave dhe vendosjen e kamerave inteligjente. Smart City është projekt që konsiderohet nga qeveria me rëndësi të madhe kombëtare, marrëveshje e lidhur në mungesë të plotë transparente mes qeverisë shqiptare dhe asaj të Emirateve. Është përzgjedhur kompania Presight AI Ltd, që sipas kongresit amerikan ka lidhje të dyshuara me qeverinë kineze dhe dyshohet për shkelje të të drejtave të njeriut dhe kjo e bën shqetësuese.
Nuk ka pasur asnjë reagim nga ministria e Brendshme. Kemi pasur një zv ministër që është larguar për shkak se refuzoi të nënshkruante këtë marrëveshje. Ajo se cfarë duhet të na shqetësojë se cilat janë modalitetet e kësaj marrëveshje dhe lidhjet që ka. Do të filmohen në mënyrë të pandërprerë fillimisht fëmijët tanë në shkolla dhe më pas do të shtrihet në rrugët. Nuk kemi garanci se ku do të shkojë këto pamje, a mund të përdoren aspekte të caktuara, të përdoren për të dëmtuar njerëz apo sulmuar ato. Ka pasur edhe një detaj tjetër, që është thënë nga Arben Ahmetaj, që është lobuar nga Ergys Agasi.
A mund të pranojmë një kompani që është e akuzuar për lidhje të dyshimta, apo pa patur garanci se si do të administrohen këto të dhëna. Duhet të jetë e qartë se si mund të administrohen.”, theksoi gazetarja.


