Kuvendi ka miratuar një fond prej 500 mijë eurosh për të mbështetur financiarisht komisionin anti-korrupsioni të drejtuar nga Fatmir Xhafaj. Ky i fundit, kërkoi mbështetje nga Byroja e Kuvendit për të caktuar pagesë për ekspertët që do të punojnë pranë këtij komisioni.
Sipas ndarjes që ka bërë Fatmir Xhafaj, ekspertët do të kenë 3 nivele pagesash. Niveli i parë i ekspertëve të nivelit të lartë, ka 30 emra. Ata do të marrin 3 paga bruto të një këshilltari, ose e thënë ndryshe rreth 8 mijë euro.
Niveli i dytë, prej 11 emrash, do ta marrin nga 2 paga të një këshilltari në Kuvend, ose 5 600 euro.
Sekretariati teknik i përbërë nga 15 vetë, dhe 12 ekspertë të nivelit të tretë do të marrin për punën pranë këtij komisioni, 2 800 euro.
Fatmir Xhafaj ka parashikuar pagesë edhe për një kategori të quajtur: “ekspertë të huaj”. Ata janë 23 persona dhe do të paguhen 5600 euro. Siç duket nga specifikimi i emrave, ekspertët e huaj, rezultojnë të jenë shqiptarë me banim jashtë vendit.