Pas reagimit të Prokurorisë së Përgjithshme, edhe Dhoma Kombëtare e Avokatisë ka shprehur kundërshtimin e saj ndaj draftit të ri të Kodit Penal. Kreu i Dhomës, Maks Haxhia, e cilësoi projektin si të nxituar dhe të papërputhshëm me standardet evropiane të drejtësisë.
Në një deklaratë për mediat, Haxhia u shpreh se ndryshimet e propozuara nuk përfaqësojnë një nevojë reale të sistemit të drejtësisë, por janë një nismë që bie ndesh me logjikën ligjore dhe praktikat e vendeve anëtare të BE-së.
Sipas tij, drafti i propozuar përmban dënime represive, që në disa raste tejkalojnë edhe kohën e diktaturës, ku dhe paralajmëroi duke shtuar se mungesa e transparencës mbi autorësinë e këtij kodi e bën procesin edhe më problematik.
“Edhe sot e kësaj dite nuk dihet kush ka qenë pjesë e trupës që e përgatiti këtë kod. Nëse është pjesë e reformës në drejtësi, atëherë duhet të kishte vulën e ndërkombëtarëve. Por as kjo nuk dihet,” tha ai.
Sipas Haxhisë, pikëpyetjet që ngrihen mbi këtë nismë mjaftojnë për ta konsideruar atë të papranueshme nga pikëpamja parimore dhe ligjore.
Maks Haxhia, kreu i Dhomës së Avokatisë: Ky draft nuk është si rrjedhojë e nevojës së organeve të drejtësisë. Nga 1995 kur është bërë kodi i fundit janë ndryshuar dhe janë bërë amendamente 23 herë plus edhe 4 vendime të Gjykatës Kushtetuese. Nëse do pretendohet nga ata që kanë bërë këtë kod, që është bërë për të inkuadruar në kuadër të anëtarësimit të Shqipërisë në BE, nuk besoj ta thonë, sepse nuk ka logjikë që ta pranojë, që një kod i tillë që është inkuizitor, me dispozita marramendëse, me dënime marramendëse, me teknike juridike që nuk e pranon asnjë mendje profesionale, që të jetë ky një draft që do ta pranojë Evropa. Ky në të gjithë aspektin e vet është në diskordancë me legjislacionin penal evropian, të gjitha vendeve, duke nisur nga rajoni, deri në Evropë dhe më gjerë.
Që të bësh një kod duhet që të jenë aktorët e drejtësisë, jo se është monopoli i tyre, por kanë eksperienca të ndryshme dhe mund të sjellin problematika nga më të ndryshme. Kodi Penal nuk mund të riparohet në këtë mënyrë. Vetëm në Shqipëri ndodh që Kodi Penal, ndryshohet, shfuqizohen nene të caktuar ose shtohen me VKM, është njësoj si me VKM. Kodi Penal nuk mund të ndryshohet sa herë duam ne, sa herë del një problem. Kodi Penal është monopol i Ministrisë së Drejtësisë, i kodifikimit. Ka një drejtori kodifikimi, një drejtori që duhet të ketë personalitetet më të larta në fushat e jurisprudencës. Ky kod, nga kodi që lamë pas nga kodi i diktaturës, po ta krahasojmë me dënimet, ky ka dënime represive. Edhe në kodin aktual, ka dënime të rënda. Madje ka dënime të tjera që nëse një vepër penale dënohet nga 10 në 20 vjet thuhet që po konkurroj edhe ky element shtohet edhe një e dyta, dy e treta, apo edhe 30%.
Edhe sot e kësaj dite nuk e dimë se kush ka qenë në trupën e stafit që përgatiti këtë kod. E dyta, iniciative e kujt është kjo? E treta, cili është qëndrimi i ndërkombëtarëve? Nëse kjo është pjesë e reformës në drejtësi, duhet të kishte vulën e ndërkombëtarëve. Të gjitha këto, vetëm nga pikëpamjet parimore bëjnë që ky kod nuk duhet të jetë.