EMISIONI VETTING
KLSH: APP-ja ka neglizhuar hetimin e koncesioneve
Me ndryshimet e vitit 2021, Agjencia e Prokurimeve Publike e cila prej 7 vitesh drejtohet nga Reida Kashta ka shtuar Sektorin e Monitorimit të Koncesioneve dhe Procedurave në Fushën e Mbrojtjes dhe Sigurisë. Ky sektor kryen hetim administrativ, nëpërmjet verifikimit të zbatimit të ligjshmërisë së procedurave të koncesioneve dhe prokurimeve në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë pas nënshkrimit të kontratës.
Sipas raportit të realizuar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit në Agjencinë e Prokurimeve për periudhën 2021-2023 rezultojnë probleme me verifikimin e kontratave koncesionare.
Konkretisht në vitin 2021 është firmosur kontrata për koncesionin e Aeroportit të Vlorës, për të cilën duhet të ishin bërë verifikimet, edhe pse ka shkelur afatin 2-vjeçar, që me ligjin e mëparshëm që ka qenë në fuqi, kjo kontratë duhet të ishte verifikuar.
Në lidhje me këtë gjë, Agjencia e Prokurimeve ka deklaruar se çështja është e referuar në SPAK, por audituesit kanë deklaruar se APP-ja nuk ka dorëzuar asnjë dokumentacion për të provuar shkaqet.
Por kjo është vetëm nga njëra nga kontratat koncesionare, pasi në vitin 2022 janë firmosur 3 kontrata të tjera, për të cilat nuk është kryer asnjë verifikim nga Agjencia e Prokurimeve për koncesionin rrugor ”Milot-Thumanë”, koncesionin e rrugës “Kashar-Pezë-Lekaj” dhe koncesionin e rrugës “Lekaj-Konjat-Fier”.
Sipas avokates Erjola Përlesi, një ndër arsyet që kemi shumë shkelje në procesin e tenderave lidhet edhe me punën e vet institucioneve publike, të cilat nuk realizojnë auditimin dhe nuk referojnë shkeljet në tendera.
Sipas KLSh-së, Agjencia e Prokurimeve Publike nuk ka kryer asnjë hetim administrativ për këto koncesione, nuk ka plotësuar stafin për këtë sektor dhe mbi të gjitha nuk ka asnjë dokument, që kjo agjenci të dëshmojë arsyet se pse nuk janë realizuar këto verifikime. Në raport zbulohet se ngërçi i krijuar ka ardhur si pasojë e mosdorëzimit të dokumenteve te Agjencia e Trajtimit të Konçesioneve (ATRAKO) nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, e cila drejtohet nga Belinda Balluku.
Madje nga auditi zbulohet se Agjencia e Prokurimeve nuk ka bërë asnjë kërkesë për të plotësuar këtë staf, duke hedhur dyshime se bllokimi i verifikimit të kontratave koncesionare ka qenë i qëllimshëm.
Në shkurt 2024, Myzyri është paraqitur në SPAK, ku ka qëndruar për rreth dy orë, ku ngelen të paqarta arsyet në këtë rast.
Në këtë situata parregullsish me procedurat e prokurimit publik, investimet e huaja mbeten në kuota të ulëta. Kështu, në vitin 2023, nga 4007 procedura, që janë finalizuar me kontratë, numri i kompanive të huaja, që janë shpallur fitues është vetëm 18.
Sipas ekspertit të prokurimeve, Muharrem Çakaj në kushtet kur Shqipëria kërkon të jetë pjesë e Bashkimit Europian dhe kërkon të hapi tregun, ky numër është relativisht i vogël.
“Kjo është një kambanë alarmi që sistemi i prokurimeve në Shqipëri është i mbyllur, sistemi i prokurimeve është i kontrolluar dhe këtu nuk kemi as transparencë e as garë,” u shpreh për “Vetting” eksperti Çakaj.
Sipas kryetarit të “Shqipëria bëhet” Adriatik Lapaj, pas gjithë kësaj situate të mbyllje të tregut mund të ketë arsye që lidhen me lidhjet e shkurtra politike me qeverisjen e vendit, të cilat në vetvete mund të jenë edhe shkak për korrupsion të kamufluar.
Faktet e pasqyruara më lart tregojnë se në Shqipëri, është bërë e zakonshme shkelja e të gjitha rregullave për konkurrim të ndershëm në të gjitha proceset, sidomos në ato që kanë të bëjnë me prokurimet publike. Secili prej zyrtarëve nga nivelet me të ulëta të administratës shtetërore deri në majën e saj, është i vetëdijshëm për rrugëtimin e tij, për çdo cent që ka përfituar padrejtësisht në dëm të fondeve publike të vendit më të varfër në Europë.