Këshilli i Lartë i Prokurorisë pritet të zgjedhë në mbledhjen e nesërme (11 dhjetor), kreun e ri të Prokurorisë së Posaçme.
Drejtuesit aktual, Altin Dumani, i mbaron mandati trevjeçar më 16 dhjetor. Në garë janë Klodian Braho, Doloreza Musabelliu, Adnan Xholi dhe Elvin Gokaj.
Në garë janë 4 kandidatë të kualifikuar në fazat paraprake dhe që do i nënshtrohen garës në KLP, ku në fund do votohet për fituesin, i cili del edhe me një votë më shumë, pra nuk ka votim të cilësuar.
Në kuadër të mbledhjes së nesërme, KLP ka lëshuar një njoftim zyrtar, ku bën me dije se diskutimi dhe votimi do jenë pa praninë e medias. Shkak është salla e vogël dhe numri i madh i konfirmuar i pjesëmarrjes së përfaqësuesve të trupit diplomatik të akredituar në Tiranë.
Zgjedhja e kreut të ri të SPAK shoqërohet me interes të lartë të Ambasadave dhe KLP ka kërkuar mirëkuptimin e mediave që nuk do lejohen, përveç sinjalit të RTSH-së.
“Duke qenë se ditën e nesërme është konfirmuar një numër i madh i përfaqësuesve nga ambasadat, lutemi për mirëkuptimin tuaj për prezencën mediatike në sallë. Siç edhe e dini, salla është relativisht e vogël për t’ju akomoduar të gjjthëve, ndaj ju lutem të ndiqni seancën direkt nga sinjali RTSH-së”, thuhet në njoftimin zyrtar të KLP-së.
Një ditë më parë (9 dhjetor), KLP zgjodhi (votimi në foton kryesore) edhe drejtorin e ri të Byrosë Kombëtare të Hetimit, (BKH- e cilësuar edhe si FBI-ja shqiptare), Joni Keta, i cili pason në detyrë Aida Hajnajn.


