Gazetarja Klodiana Lala, e ftuar në emisionin “Kjo Javë”, zbardhi detaje të reja nga seanca e sotme në GJKKO, ku u shqyrtuan masat e sigurisë për zëvendëskryeministren dhe ministren e Infrastrukturës, Belinda Balluku, si edhe për dy zyrtarët e saj, Gentian Gjyli dhe Erald Elezi.
Gjykata vendosi të mbajë në fuqi pezullimin e Ballukut nga detyra, ndërsa Gjyli dhe Elezi do të vijojnë me masën “arrest në shtëpi”.
Sipas Lalës, gjatë seancës ka pasur diskutime të forta me karakter juridik mes Ballukut dhe gjyqtarit të GJKKO-së.
Balluku mësohet të ketë kërkuar që çështja e masës së sigurisë të dërgohet për shqyrtim incidental në Gjykatën Kushtetuese.
Në një moment, Balluku është shprehur se pezullimi i saj krijon boshllëk në qeverisje, duke pyetur: “Nëse Edi Rama largohet jashtë vendit, kush do të thërrasë mbledhjen e qeverisë?”
Pas kësaj gjyqtari Erion Çela i ka tërhequr vëmendjen se po jepte opinioneme natyrë politike.
Po ashtu, sipas Lalës, Balluku ka kundërshtuar edhe masat për dy vartësit e saj, duke argumentuar se Elezi duhet të jetë aktiv për shkak të situatës së vështirë hidrike në KESH, ndërsa Gjyli, sipas saj, duhet të jetë në terren për menaxhimin e problemeve të shkaktuara nga moti i keq dhe gjendja e rrugëve.
“Ne, si qeveri, e kemi dërguar këtë çështje për shqyrtim, të njëjtën gjë duhet të bëni edhe ju”, tha Lala, duke cituar deklarimet e Ballukut në sallë.
Klodiana Lala: Seanca u ndërpre për 2 orë me kërkesën e avokatit të mbrojtjes. Balluku u largua dhe u rikthye rreth orës 11:00. Seanca shkoi e qetë, ka patur vetëm debate juridike, Balluku ka folur gjatë në GJKKO. Ajo ka kërkuar që gjykata të çojë kërkesën për gjykim incidental në Kushtetuese.
Ajo i ka kërkuar gjyqtarit të posaçëm Erjon Çela që “çojeni edhe ju si gjykatë në Kushtetuese”. Në qoftë se Edi Rama ikën jashtë shtetit kush do e mbledhe qeverinë. Gjykata i tërheq vemendjen se po jep opinione politike. Po mbani ne arrest Erald Elezin kur duhet te jetë në krye te punëve për shkak të situates hidrike te KESH. Po mbani ne arrest shtepie Gentian Gjylin kur situata me rruget per shkak te motit te keq eshte problematike
Kujtojmë se GJKKO konfirmoi sot pezullimin e Belinda Ballukut nga posti i zv.kryeministres dhe ministres se Infrastruktures.
Gjithashtu, ndaj administratorit të KESH, Erald Elezi dhe drejtorit të Autoritetit Rrugor Shqiptar, ARRSH, Gentian Gjyli është lënë në fuqi masa “arrest shtëpie”.
E para që u largua nga ambientet e GJKKO-së ishte Belinda Balluku, e cila vendosi të kyç gojën para mediave.
Menjëherë pas saj është larguar edhe drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Gentian Gjyli, që gjithashtu nuk foli për gazetarët.
“Belinda Balluku patjetër do të ankimojë masën sepse nuk mund të paraqitet në zyrë. A do të japë dorëheqjen dhe nëse jo, a do e shkarkojë Kryeministri? Dhe pyetja tjetër është se çfarë do të vendosë Kushtetuesja”, u shpreh gazetarja Klodiana Lala.
Zv.kryeministrja e pezulluar, përveç tunelit të Llogarasë është nën hetim edhe për tenderin abuziv në Unazën e Madhe.
SPAK sqaroi se ndaj të pandehurës Belinda Balluku rëndojnë akuzat për kryerjen e veprës penale, “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim sa i përket procedurës së prokurimit me objekt “Ndërtimi i tunelit të Llogarasë” dhe e dyshuar për kryerjen e veprës penale, “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim sa përket procedurës së prokurimit me objekt “Ndërtimi i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 4”.
Seanca nisi rreth orës 09:00, por u ndërpre për dy orës pas gati 40 minutash. Gjatë kësaj kohe, Belinda Balluku u largua nga GJKKO për t’u rikthyer sërish më vonë.
Ajo u largua rreth orës 14:40, ku gjyqtari Erion Çela vendosi të lërë në fuqi masat e sigurisë.
Gjyqi u zhvillua për marrjen në pyetje të 3 të pandehurve, si edhe verifikimin e kushteve, kritereve të caktimit të masës dhe nevojat e sigurimit Belinda Ballukun, Gentian Gjylin e Erald Elezin.
Vendimi i GJKKO:
- Kërkuesi Prokuroria e Posaçne kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar me datë 21.11.2025 ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Marrja në pyetje dhe verifikimi i kushteve dhe kritereve të zbatimit të masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues dhe ndalues, caktuar me vendimin Nr. 118, datë 19.11.2021 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ndaj të pandehurve Belinda Balluku, Gentian Gjyli dhe Erald Elezi”.
- Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtari Erjon Çela, me vendimin nr. 120, datë 22.11.2025, vendosi:
- Vazhdimin e zbatimit të masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “Ndalimi i daljes jashtë shtetit” dhe masës së sigurimit personal me karakter ndalues “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, (si Zv. Kryeministër i Republikës së Shqipërisë dhe Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë), të parashikuara nga nenet 233 dhe 242 të K.Pr.Penale, ndaj të pandehurës Belinda Balluku, të caktuara me vendimin nr. 118, dt. 19.11.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
- Vazhdimin e zbatimit të masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “Arrest në shtëpi”, e parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale, ndaj të pandehurit Gentian Gjyli, e caktuar me vendimin nr. 118, dt. 19.11.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
- Vazhdimin e zbatimit të masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “Arrest në shtëpi”, e parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale, ndaj të pandehurit Erald Elezi, e caktuar me vendimin nr. 118, dt. 19.11.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
- Saktësimin e adresës së zbatimit të masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “Arrest në shtëpi” duke urdhëruar të pandehurin Erald Elezi që të mos largohet nga banesa e tij që ndodhet në qytetin e **** me adresë: ****
- Urdhërohet Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe shërbimet e policisë gjyqësore për zbatimin e këtij vendimi.
- Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Posaçme të Apelit Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar brënda 5 ditëve, nga njoftimi i vendimit të gjykatës.
Tiranë, më datë 22.11.2025
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar


