Klodian Braho do të jetë kreu i ri i Prokurorisë së Posaçme për tre vitet e ardhshme.
Ai do të jetë drejtuesi më i votuar deri tani i SPAK në mbledhjen e KLP. Dy paraardhësit e tij, Arben Kraja dhe Altin Dumani, ishin zgjedhur me 5 vota.
Braho mori 7 vota, ndërkohë që vjen nga një karrierë e gjatë si prokuror në Seksionin e Antikorrupsionit, si në rrethe, ashtu edhe në Krimet e Rënda dhe më pas në SPAK.
Drejtuesja e KLP në fund të mbledhjes deklaroi se do mbahej procesverbali dhe vendimi i votimit dhe zgjedhjes së Brahos do shpallej në Fletoren Zyrtare.
Braho më herët, në krye të seksionit kundër Korrupsionit në SPAK, ka drejtuar shumë çështje hetimore me rëndësi. Partnerët ndërkombëtarë kanë monitoruar nga afër procesin e zgjedhjes. Më 19 dhjetor i mbaron mandati i Dumanit dhe ia dorëzon detyrën Klodian Brahos.
Gjatë votimit Adnan Xholi mori 3 vota, Elvin Gokaj 1 votë, Braho 7 vota.
Gazetarja Klodiana Lala raportoi se Braho në fjalën e tij la të kuptohej se nuk do i nënshtrohej presioneve, ndërkohë që në vizionin e tij deklaroi bashkëpunimin me institucionet dhe BKH për të çuar më para punët. Braho njihet për dosjen “Toyota Auris”, ku ishin të dyshuar edhe zyrtarë të lartë si të përfshirë. Po kështu edhe dosja e “5D” me zyrtarët e Bashkisë së Tiranës.
“Qëllimi i tij është lufta ndaj korrupsionit dhe jo dërgimi i njerëzve pas hekurave si qëllim. Prokuroria e Posaçme të jetë e konsoliduar dhe të mos lidhet me emrin e një njeriu”, ka thënë kreu i ri i SPAK ndër të tjera.
Në fillimet e tij prokurori Braho ka shërbyer në Prokurorinë e Beratit, ku dhe aty ka kryer hetime për çështjet e korrupsionit dhe shpërdorimit të detyrës kryesisht në institucionet vendore.


