“Në këto kohë të vështira ne mund të shohim se kush është miku i vërtetë i Ukrainës”, tha Klitschko për AA, i cili ka folur lidhur me masat e sigurisë që vazhdojnë në Kiev me mbështetjen e shteteve mike dhe fqinje të Ukrainës, veçanërisht Turqisë
Kryebashkiaku i kryeqytetit të Ukrainës, Kiev, Vitali Klitschko, deklaroi se i është mirënjohës Turqisë për mbështetjen e dhënë për vendin e tij, ndaj të cilit Rusia ka shpallur luftë.
“Në këto kohë të vështira ne mund të shohim se kush është miku i vërtetë i Ukrainës”, tha Klitschko për Anadolu Agency (AA), i cili ka folur lidhur me masat e sigurisë që vazhdojnë në Kiev me mbështetjen e shteteve mike dhe fqinje të Ukrainës, veçanërisht Turqisë.
Ushtria e Ukrainës vazhdon masat intensive të sigurisë në kryeqytet dhe zonat përreth tij pavarësisht rivendosjes së kontrollit në zonën e Kievit në fillim të prillit.
“Ukraina e cila sulmohet nga Rusia, po përjeton ditë të vështira dhe ndihmat ndërkombëtare për vendin në këtë periudhë kanë qenë jashtëzakonisht të rëndësishme. Ne falënderojmë të gjitha vendet, si ato evropiane ashtu edhe ato fqinje të cilat ndaj Ukrainës paraqitën qasje pozitive dhe që mbështetën paqen”, theksoi Klitschko.
Klitschko nënvizoi se Ukraina dhe populli i saj mbështesin paqen dhe nuk kanë sulmuar askënd. “Ukraina është një vend që gjithmonë ka mbështetur paqen. Populli ukrainas nuk ka treguar agresivitet kundër asnjë populli, por sot vazhdon tensioni ushtarak. Teksa vazhdojnë sulmet ajrore kundrejt qyteteve dhe popullatës tonë civile, ne nuk na ka mbetur rrugë tjetër përveç se të mbrojmë vendin tonë”, tha ai.
Më tej Klitschko vuri në dukje se vendi i tij synon vazhdimin e paqes dhe i falënderon të gjithë ata që ofrojnë mbështetje për të siguruar sërish qetësinë në Ukrainë.
Ai tha se kanë nevojë për ndihma humanitare, mjekësore, ushtarake dhe politike. “Ne nuk mbrojmë vetëm familjet, shtëpitë dhe vendin tonë, por mbrojmë edhe parimet që mbështesin të gjitha vendet demokratike. Vazhdimi i stabilitetit në rajon, varet nga situata e vazhdueshme politike dhe ekonomike në Ukrainë”, tha Klitschko.
– “Turqia është mik i vërtetë”
Klitschko deklaroi se në mesin e vendeve që kanë ofruar mbështetje për vendin e tij dëshiron të falënderojë veçanërisht Turqinë. “I jemi shumë mirënjohës Turqisë për mbështetjet e saj në fushën politike dhe ushtarake, kjo është shumë e rëndësishme. Në këto kohë të vështira ne mund të shohim se kush është miku i vërtetë i Ukrainës”, tha Klitschko.
– “Në Kiev vazhdon rreziku për sulme”
Duke tërhequr vëmendjen se në rajonin e Kievit vazhdon rreziku i sulmeve ruse, Klitschko tha se: “Rreziku vazhdon, pavarësisht se në javët e fundit nuk ka pasur sulme kundrejt Kievit. Rusia ka shumë raketa dhe në një deklaratë të bërë dje nga ushtarët rusë nuk u përjashtua plotësisht mundësia për sulme me raketa dhe bombardime kundrejt kryeqytetit Kiev”.
Në lindje të vendit vazhdojnë konflikte serioze dhe sulmet ruse vazhdojnë në qytetet atje, theksoi Klitschko i cili tha se “Situata në Kiev është pak më e qetë, por kjo nuk nënkupton se aktivitetet e kësaj lufte nuk do të përsëriten sërish në çdo moment”.
Kryebashkiaku Klitschko u rekomandoi banorëve të Kievit që të mos nxitojnë për çështjen e kthimit në kryeqytet. “Dua t’u bëj thirrje edhe njëherë atyre që janë kthyer (në Kiev) me mundësitë e tyre; ju jeni kthyer duke ndërmarrë rrezik. Për shkak të sulmeve ushtarake të Rusisë, ne nuk mund të sigurojmë 100 për qind siguri për ju. Ju rekomandoj që të mos nxitoni për çështjen e kthimit”, u shpreh Klitschko.