dministratori i klinikës dentare “Dental Turk” është arrestuar nga policia me akuzën se ka kryer evazion fiskal dhe ka përdorur produkte të skaudara.
Në pranga ka rënë shtetasi, Adnan Yizdizoglu, ndërsa në hetim janë vënë koordinatorja e subjektit dhe 2 laborantë.
Sipas Policisë së Shtetit, pas informacioneve të marra në rrugë operative, u zbuluan produkte dentare të skaduara, të përdorura gjatë shërbimeve ndaj pacientëve, si dhe shkelje të rënda fiskale.
Konkretisht, u sekuestruan 300 shishe me produkte, të cilat nuk kishin fatura zhdoganimi dhe vlerësohen në rreth 100,000 euro. Gjithashtu, u gjetën mandate të pafiskalizuara, duke ngritur dyshime për evazion të qëllimshëm tatimor.
Autoritetet po vijojnë hetimet për të përcaktuar shkallën e dëmit ekonomik ndaj shtetit dhe për të identifikuar çdo veprim tjetër të paligjshëm që mund të jetë kryer nga subjekti në fjalë.
Njoftimi:
Zbulohet se në një klinikë dentare në “Don Bosko”, kryhej evazion fiskal dhe shërbehej me produkte të skaduara.
Sekuestrohen 300 shishe me produkte (shumica, të skaduara), pa fatura zhdoganimi, me vlerë rreth 100 000 euro, si dhe mandate të pafiskalizuara.
Arrestohet administratori i klinikës (shtetas turk).
Vihen në hetim koordinatorja e subjektit dhe 2 laborantë.
Si rezultat i administrimit të shpejtë të informacioneve të siguruara në rrugë operative, se në një subjekt (klinikë stomatologjike) në zonën “Don Bosko”, kryheshin krime ekonomike dhe krime kundër shëndetit/jetës, specialistët e Seksionit për Hetimin e Pastrimit të Parave dhe Aseteve Kriminale finalizuan operacionin “Dentistry”.
Gjatë ndërhyrjes në ambientet e klinikës, u kap dhe u arrestua administratori i subjektit, shtetasi turk, A. Y., 59 vjeç.
Gjithashtu, u kapën në flagrancë, 3 punonjës të klinikës, konkretisht koordinatorja, shtetasja B. K., 35 vjeçe, si dhe 2 laborantët, shtetasit L. S., 21 vjeçe dhe A. A., 42 vjeç, për të cilët nisi procedimi në gjendje të lirë.
Nga kontrolli në ambientet e klinikës u gjetën dhe u sekuestruan me cilësinë e provës materiale, 300 shishe me produkte (shumica, të skaduara), me vlerë rreth 100 000 euro, për të cilat nuk disponoheshin fatura zhdoganimi, si dhe mandate të pafiskalizuara. Vijojnë hetimet për të përcaktuar dëmin ekonomik që i është caktuar shtetit, si pasojë e shmangies së detyrimeve tatimore nga ky subjekt.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.