Këshilli i Lartë Gjyqësor ka njoftuar se nuk do të marrë pjesë në Komisionin e Posaçëm Parlamentar “Për thellimin e Reformave për Mirëqeverisjen, Sundimin e Ligjit dhe Antikorrupsionin për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Evropian”.
KLGJ ka njoftuar se është i gatshëm të bashkëpunoj me komisionin, por jo të jetë pjesëmarrës.
“Jemi të gatshëm për bashkëpunim me këtë Komision, por jo për pjesëmarrje”, thuhet në deklaratën e Këshillit të Lartë Gjyqësor.
Ky është institucioni i gjashtë i drejtësisë që ka refuzuar pjesëmarrjen, përfshirë Gjykatën Kushtetuese, Gjykatën e Lartë, Inspektoratin e Lartë të Drejtësisë, Prokurorinë e Posaçme të njohur si SPAK dhe Prokurorinë e Përgjithshme.
Ndërkohë, Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka rënë dakord për të dërguar dy përfaqësues në Komisionin Xhafaj.
Mësohet se emrat që do ta përfaqësojnë janë Arta Mandro anëtare jo prokurore dhe Vate Staka, anëtar prokuror.