Shef i Organizimit në Partinë Demokratike të Shqipërisë, Klevis Balliu, ka akuzuar ashpër qeverinë për atë që e cilëson si “gjenocid ndaj mediave”, lidhur me zhvillimet që lidhen me ndërprerjen dhe rikthimin e transmetimit të televizionit News24.
Në një intervistë nga studiot e reja të News24, Balliu tha se qeveria po godet fjalën e lirë, duke përdorur presion politik dhe ndërhyrje arbitrare për të ndaluar denoncimet ndaj aferave korruptive.
“Është bërë gjenocid ndaj mediave. Kjo qeveri kërkon që të mbyllet fjala e lirë, që të vijojë korrupsionin. Kur denoncon afera monstruoze, qeveria mbyll media,” – u shpreh Balliu.
Ai shtoi se mbyllja e News24 nuk është vetëm një sulm ndaj një redaksie, por një përpjekje për të shtypur çdo zë kritik.
“Nuk u sulmuan vetëm godinat e News24, por fjala e lirë. Programi i Ramës është që të fusë në burg njerëz që kritikojnë qeverinë,” – deklaroi ai, duke e konsideruar kryeministrin si pengesën kryesore për integrimin e vendit në Bashkimin Europian.