Një foshnjë dy muajshe ndërroi jetë në spitalin e Tiranës dy ditë më parë, ku ishte dërguar me urgjencë për trajtim më të specializuar për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore.
Sipas familjarëve, fëmija kishte lindur para kohe dhe që në momentet e para të jetës kishte shfaqur probleme me mushkëritë dhe infeksion. Ai ishte trajtuar fillimisht në Tiranë në inkubator për rreth një muaj, ndërsa më pas ishte kthyer pranë familjes për disa ditë.
Babai i foshnjës, Arben Veshalliu, tregon se pas daljes nga spitali, gjendja e fëmijës u përkeqësua pasi nuk ushqehej dhe nxirrte qumështin që i jepej.
“E çuam në Tiranë fëmijën sepse doli shtatanik. Doktorët e mbajtën në inkubator; ndenji 1 muaj në Tiranë dhe më pas u kthye për të qëndruar 10 ditë në Korçë, por na morën në telefon dhe na thanë: hajdeni merreni fëmijën.
E morëm, na dhanë ilaçet për fëmijën dhe ia jepnim. Edhe qumësht pluhur i kam dhënë, por nuk ishte fëmijë që pinte. E çova në Devoll, ata më thanë ta çoja në Korçë. Korça pastaj e dërgoi në Tiranë; unë nuk doja, sepse në Tiranë e çuam njëherë. Pastaj, kur u kthyem në Pogradec, më morën në telefon dhe më thanë që foshnja kishte ndërruar jetë”, rrëfen ai.
Sipas tij, foshnja nuk kishte temperaturë, por refuzonte ushqimin dhe kishte vështirësi shëndetësore.
“Fëmija kishte probleme me mushkëritë, ishte me infeksion që kur lindi. Kur e nxorëm nga spitali nuk na thanë gjë që fëmija kishte përsëri probleme, vetëm na thanë ta nxirrnim nga spitali. U detyrova ta çoja në spital pasi fëmija nuk pinte qumësht, e nxirrte jashtë. Nuk kishte as temperaturë, asgjë”, shprehet babai.
Familja thotë se ndodhet në vështirësi të mëdha ekonomike dhe nuk ka mundësi ta sjellë trupin e foshnjës nga Tirana për ta varrosur në vendlindje.
“E kemi çuar në Tiranë unë bashkë me dy infermiere, tek “Nënë Tereza”, pastaj fëmija vdiq. Nuk na kanë kontaktuar më pasi fëmija ndërroi jetë. Ne s’kemi mundësi ta marrim fëmijën tonë në Tiranë, kërkojmë që të na e sjellin fëmijën këtu që ta varrosim këtu.
Gruaja ime është me KEMP, sepse është me sëmundje mendore. Edhe KEMP-in duan t’ia presin; ajo nuk është as për punë, për asgjë. KEMP-i i duhet, por ata edhe atë duan t’ia heqin. Jemi në vështirësi të madhe ekonomike”, shton ai.
Edhe gjyshi i foshnjës, Agush Veshalliu, apelon për ndihmë që trupi i të miturit të kthehet pranë familjes.
“Ishte nipi i parë për familjen tonë. Ne duam vetëm ndihmë tani që të na e sjellin fëmijën që ta varrosim këtu, sepse ne vetë nuk kemi mundësi ta sjellim. Për fëmijën përkujdesjej djali im”, thotë ai.


