Në kohë të marrëdhënieve të tensionuara midis Rusisë dhe Perëndimit për shkak të përshkallëzimit të luftës në Ukrainë, presidenti kinez Xi Jinping realizoi turne evropiane në maj, duke vizituar Francën, Hungarinë dhe Serbinë. Është e vështirë të besohet se vendet që janë në axhendën e presidentit kinez dhe koha e vizitës janë të rastësishme. Nëse në Paris ai aktroi si mysafir dashamirës që dëshiron të ndërtojë marrëdhënie të mira partneriteti me BE-në, në Budapest dhe Beograd përdori një retorikë tjetër. Pas takimit me Macron dhe Von der Leyen, Xi deklaroi se mes Kinës dhe BE-së nuk ka as konflikt gjeopolitik dhe as themelor interesash, dhe kërkoi vazhdimin e partneritetit, dialogut dhe bashkëpunimit me BE-në.
Xi tregoi fytyrë tjetër gjatë vizitës së tij në Hungari dhe Serbi, dy vende problematike me regjime autoritare në zemër të Evropës. Ai ofroi një partneritet strategjik për një anëtar të BE-së dhe një kandidat tjetër për anëtarësim në BE. Edhe data e vizitës në Serbi nuk është zgjedhur rastësisht. Ajo u zhvillua në përvjetorin e bombardimit aksidental të NATO-s ndaj ambasadës kineze në Beograd.
Gjatë vizitës në Beograd, Xi dhe Vuçiq nënshkruan deklaratë të përbashkët për partneritetin gjithëpërfshirës strategjik midis Kinës dhe Serbisë, ndërsa qeveritë e dy vendeve nënshkruan 29 marrëveshje bashkëpunimi. “Ne do të punojmë më mirë së bashku me Serbinë për të mbrojtur interesat tona themelore dhe afatgjata,” tha Xi pas nënshkrimit të deklaratës.
Edhe pse Serbia është zyrtarisht në bisedime për anëtarësim në BE, Vuçiç po zhvillon në të njëjtën kohë marrëdhënie të ngushta me Kinën dhe Rusinë, duke blerë armë ruse dhe kineze dhe duke refuzuar të vendosë sanksione ekonomike kundër Rusisë për shkak të agresionit të saj kundër Ukrainës.
Rusia dhe Kina ushqejnë me mjeshtëri ambiciet e vjetra të Serbisë për dominim me vendet e Ballkanit Perëndimor. Ata e dinë se në establishmentin serb ka ende forca që ëndërrojnë realizimin e dhunshëm të idesë së Serbisë së Madhe. Nuk është rastësi që ushtria serbe u shfaq disa herë në kufijtë e Kosovës, duke kërcënuar kryeministrin Kurti që të mos shpërbëjë strukturat paralele serbe në veri të Kosovës dhe të formojë Asociacion të komunave serbe me kompetenca ekzekutive. Kërcënimet e Dodikit për shkëputje nga Bosnja dhe bashkimin e Republika Srpska me Serbinë shkojnë në të njëjtin drejtim.
Aventura eventuale ushtarake e Vuçiqit në Bosnje dhe Kosovë ka pak shanse suksesi sepse do të nënkuptonte një përplasje të drejtpërdrejtë me NATO-n. Megjithatë, Putin dhe Xi janë shumë të interesuar të inkurajojnë Vuçiçin për të hapur vatër të re ushtarake në zemër të Evropës, për të larguar vëmendjen e Perëndimit nga lufta në Ukrainë dhe Gaza. Dy vendet autoritare, të cilat përpiqen të realizojnë interesat e tyre përmes përdorimit të forcës ushtarake, duan të parandalojnë që Ballkani Perëndimor të paqësohet dhe të integrohet në strukturat euroatlantike, duke mbyllur kështu derën e fundit për ndikimin malinj rus dhe kinez në Ballkan dhe në Evropë.
Nëse Serbia guxon të nisë një luftë të re për të realizuar me dhunë idenë e Serbisë së Madhe, në fund të asaj lufte, jo vetëm që nuk do ta përvetësojë Republikën Srpska dhe ta kthejë Kosovën, por do vihen në pikëpyetje edhe kufijtë e Serbisë aktuale. Ka pothuajse të ngjarë që Serbia, e izoluar nga vendet anëtare të NATO-s dhe pa ndihmën e drejtpërdrejtë ruse dhe kineze, të humbasë luftën. Në atë rast, Perëndimi do ta ndëshkojë ashpër Serbinë me shkëputjen e Vojvodinës, Sanxhakut dhe Luginës së Preshevës.
Nga ana tjetër, Vuçiq përdor edhe Rusinë dhe Kinën për interesat e tij. Vuçiq nuk ka gjasa të hyjë në një konfrontim të drejtpërdrejtë me Perëndimin, por një mundësi e tillë nuk duhet të përjashtohet plotësisht. Ai përdor kartën e zhvillimit të marrëdhënieve të ngushta me Moskën dhe Pekinin për të ruajtur pushtetin, por edhe për të rritur aksionet në negociatat për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën dhe forcimin e pozitave të serbëve të Bosnjës.
Rritja e ndikimit të Kinës në Serbi do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë edhe në Maqedoninë e Veriut nëse merren parasysh marrëdhëniet e ngushta serbo-maqedonase. Dhe ndikimi rus në vend vjen përmes Serbisë, kryesisht përmes mediave ruse Sputnik dhe Rusia Today në serbisht.
Organizatat joqeveritare gjithashtu po paralajmërojnë rreth rritjes së ndikimit kinez në Maqedoninë e Veriut. OJQ Estima publikoi së fundmi një analizë rreth ndikimit kinez në vend, e cila vë në dukje rritjen e varësisë ekonomike nga Kina. Sipas analizës, presionet ekonomike vërehen në tregti, investime kapitale dhe borxhin e jashtëm publik.
“Kina mund të vendosë embargo për importin ose eksportin e një produkti. Prandaj Ministria e Ekonomisë duhet të bëjë më shumë përpjekje me Odat Ekonomike për diversifikimin e tregut”, thotë Ana Krstinovska, drejtoreshë e Estima.
Sipas saj, projekti për ndërtimin e autostradës Kërçovë-Ohër duhet të mbyllet sa më parë sepse vonesa e afateve e vendos vendin në pozitë të pafavorshme, duke e detyruar të marrë kredi të reja nga Kina dhe në këtë mënyrë të rritet borxhi i jashtëm.
Maqedonia e Veriut importon 17 herë më shumë mallra kineze sesa eksporton në tregun kinez. Histori tjetër është raporti me Serbinë, e cila fiton investime të mëdha kineze sepse Beogradi mbështet interesat strategjike kineze në Ballkanin Perëndimor.