Apeli i GJKKO ka lënë në fuqi pezullimin e masës së sigurisë të Belinda Ballukut. Ajo kishte bërë ankimim në Apel kundër vendimit të GJKKO, e cila e pezulloi nga detyra e zëvendës kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, teksa u akuzua nga SPAK për shkelje të barazisë në tendera.
Çështja u shqyrtua nga trupa gjykuese e Apelit të Posaçëm, pas kërkesës së Ballukut.
“Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtare Miliana Muça, pas pezullimit të shqyrtimit gjyqësor të çështjes nr. 86 akti, datë 11.12.2025 regjistrimi, përsa i përket shqyrtimit të ankimit të ankueses B.B. ndaj vendimeve nr. 118, datë 19.11.2025 dhe nr. 120, datë 22.11.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për pjesën që ajo ka kundërshtuar caktimin dhe vazhdimin e masës së sigurimit personal me karakter ndalues “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, të parashikuar nga neni 242 i K.Pr.Penale, sot më datë 09.03.2026 disponoi për çështjen penale nr. 5 akti, datë 10.02.2026 regjistrimi, si vijon:
Miratimin e vendimit nr. 18, datë 19.11.2025 dhe të vendimit nr. 120, datë 22.11.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, në lidhje me ankimin e ankueses B.B edhe për sa i përket caktimit dhe vazhdimit të masës së sigurimit personal me karakter ndalues “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” (pezullimi nga detyra me funksione të larta shtetërore si Zv.Kryeministër i Republikës së Shqipërisë dhe Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë), të parashikuar nga neni 242 i K.Pr. Penale.”, njofton gjykata.
Disa javë më parë, Apeli i Posaçëm nuk pranoi shqyrtimin e ankimit, derisa të shprehej Gjykata Kushtetuese. Pasi kjo e fundit la në fuqi pezullimin e vendimit, duke rrëzuar pretendimet e kryeministrit Rama, Apeli i Posaçëm vendosi ta rihapë sërish.
Ndërkohë, Belinda Balluku është shkarkuar nga dy funksionet që mbante në qeveri, atë të zv.kryeministres dhe të ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë.


