Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka shtyrë për në datën 7 prill shqyrtimin e kërkesës për lirimin nga qelia të ish-ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqaj.
Shkak për shtyrjen e seancës është bërë kërkesa e SPAK për kohë që të njihet me të gjitha pretendimet e mbrojtjes së ish ministrit.
Ish-ministri u arrestua me urdhër të SPAK më 4 korrik 2024 për dosjen e skandalit me fondet e SASPAC, ku akuzohet për abuzim me donacionet e huaja, ndërsa po gjykohet me procedurë të zakonshme edhe për dosjen e “Sterilizimit”.
Beqaj akuzohet se ka kryer vjedhje duke shpërdoruar detyrën publike të titullarit të ministrisë. Ai ka kërkuar disa herë lirinë në shkallë të ndryshme të gjyqësorit, por është rrëzuar nga togat e zeza.
Ish-ministri, i cili ka mohuar akuzat e SPAK, madje dy ditë pas vendosjes në pranga ofroi edhe garanci pasurore prej 50 mijë euro, por propozimi i tij nuk u pranua.


