Ditën e sotme, më 8 korrik, pritet të zhvillohet seanca gjyqësore që do të shqyrtojë kërkesën për lirim me kusht të ish-deputetit të Partisë Demokratike, Ervin Salianji.
Gjatë seancës së mëparshme të mbajtur më 23 qershor, avokati i tij mbrojtës, Ledio Braho, bëri me dije se Institucioni i Ekzekutimit të Vendimeve Penale në Fier kishte dorëzuar një raport pozitiv për sjelljen dhe qëndrimin e Salianjit gjatë vuajtjes së dënimit.
Në vijim të procedurës, gjykata njoftoi Shërbimin e Provës që të hartojë dhe dorëzojë raportin përkatës mbi mundësinë e lirimit me kusht, duke i lënë afat deri në seancën e sotme.
Në varësi të përmbajtjes së këtij raporti, trupa gjykuese do të vendosë nëse do të pranojë ose do të rrëzojë kërkesën e ish-deputetit për të përfituar lirimin e parakohshëm.