Ka nisur në Gjykatën e Posaçme faza e mbrojtjes për të pandehurit që kanë përfituar nga gjykimi i shkurtuar në çështjen e sterilizimit, të veçuar tashmë nga procesi ndaj ish-ministrit Ilir Beqaj.
Gjatë deklaratës së tij në GJKKO, Saimir Kadiu, ish-drejtor ekonomik në Ministrinë e Shëndetësisë, kërkoi shpalljen e pafajësisë, duke u shprehur se nuk ka asnjë lidhje me shkeljet për të cilat akuzohet.
Për të ilustruar pozicionin e tij në këtë çështje, Kadiu tregoi një anekdotë në sallën e gjyqit:
“Lexova një anekdotë para disa ditësh: mori flakë pylli dhe të gjitha kafshët u mblodhën. Thanë se Zoti po na ndëshkon për mëkatet tona. Luani tha: ‘Unë kam ngrënë shumë prej jush’. Ujku dhe dhelpra pranuan fajin e tyre po ashtu. Pastaj foli gomari dhe tha: ‘Pashë një lëndinë me bar të gjelbër dhe vajta e hëngra’. Të gjitha kafshët thanë: ‘Ky është gabimi më i rëndë’, dhe e dënuan gomarin.”
I pyetur nga trupa gjykuese për arsyen e kësaj historie, Kadiu u përgjigj shkurt:
“Kërkoj të mos jem unë gomari.”