Të tjera detaje janë bërë të njohura lidhur me vrasjen e 22-vjçares shqiptare Ilaria Sula, e cila u masakrua me thikë në qafë nga ish i dashuri i saj me origjinë filipinase, Mark Samson.
Siç raportojnë mediat italiane, pak ditë pasi i riu ka vrarë Ilarian dhe e hodhi atë në një greminë, ka çuar mjetin e tij në një servis, si dhe ka kërkuar pastrim të makinës.
Punonjës të servisit ku Mark Samson çonte mjetin e tij për riparim, e kanë përshkruar atë si një djalë të sjellshëm dhe se nuk kishin menduar kurrë që ai mund të bënte diçka të tillë.
Një prej tyre ka treguar se ai ishte klient i tyre prej rreth një viti dhe se dy ditë pas zhdukjes së Ilarias, ai kishte çuar makinën për riparimin e parakolpit dhe kishte kërkuar dhe që mjeti të pastrohet.
“Ishte klienti ynë për rreth një vit, i kishim riparuar makinën disa herë dhe asnjëherë nuk kishte probleme. Përkundrazi, ishte një nga më të duruarit. Një herë ka pritur më shumë se një orë në garazh për ta marrë makinën, pa u ankuar. E kam thirrur më 28 mars për t’i thënë të më sillte makinën të hënën. Ai kishte pasur një aksident më 21 dhjetor dhe duhej të riparonte parakolpin dhe të zëvendësonte diçka që ishte thyer. Nuk ishte faji i tij. Ata e kishin përplasur, siç tregon edhe kamera e makinës,” ka treguar sekretarja që merret me të gjitha procedurat në servis.
Mediat italiane shkruajnë se i njëjti aparat që ka regjistruar aksidentin e tij më dhjetori të viti të kaluar, mund të ketë regjistruar disa momente të udhëtimit që studenti bëri nga shtëpia e tij në rrugën Homs deri te shkëmbi ku hodhi trupin e Ilarisë, të cilin e kishte mbyllur në një valixhe. Por, askush në servis nuk di çfarë ka ndodhur me kamerën.
“Nuk e mbaj mend nëse kur pastruam makinën nga brenda kamera ishte ende aty. Ne zakonisht, përpara se t’i dorëzojmë makinat klientëve, i pastrojmë gjithmonë dhe Marku e dinte këtë. Por të hënën, kur erdhi tek ne, ai insistoi që ta pastronim brenda dhe jashtë,” është shprehur mekaniku i servisit.
“Ishte si gjithmonë i edukuar, i sjellshëm, i veshur mirë. Asnjë sjellje të dyshimtë. E la makinën dhe u përshëndetëm, duke i thënë që do ta kontaktonim sapo të përfundonim punën. Dhe, duke dalë, më kujtoi përsëri të pastronim makinën brenda dhe jashtë. Po, ai ishte shumë i saktë me makinën e tij, dhe nuk dyshova për asgjë”, ka treguar më tej ai.
Edhe brenda makinës, punonjësi i pastrimit te servisi nuk ka gjetur asgjë të dyshimtë. Siç tregon ai, ne mjet nuk ka vërejtur shenja gjaku.
“Kur përdora fshesën e pastrimit nuk pashë as njolla, as prerje në tapicerinë e makinës, as në bagazh. Tapiceria është shumë e errët dhe, më shumë se kaq, ne nuk bëjmë ndonjë analizë të thelluar të materialeve. E pastruam dhe mbaroi. Në fund të fundit, nuk do të kisha menduar kurrë se ai kishte përdorur makinën vetëm pak para për të transportuar trupin e asaj vajze”, tha ai.
Për punonjësit e sevisit ka qenë shokuese vrasja e Ilarias, pasi dhe ata e kishin parë atë disa herë, teksa shoqëronte partnerin e saj për të rregulluar makinën.
“Herë pas here ajo e shoqëronte. Ajo ishte shumë e turpshme dhe e bukur. Dukeshin një çift i bukur,” thonë ata. Por, atë mëngjes Marku ishte vetëm. Dhe askush nuk do të kishte menduar kurrë se vajza me të cilën ai vinte shpesh nuk ishte aty, sepse ai e kishte vrarë.
“Menjëherë të mërkurën në mëngjes, pasi të kishim mbaruar punën, të kishim pastruar makinën përsëri do ta thërrisja Markun për t’i thënë të vinte ta merrte në mbrëmje,” shpjegon sekretarja.
Por ajo nuk e bëri kurrë atë telefonatë, sepse atë ditë policia erdhi në servis për të sekuestruar mjetin.
“Hynë, na pyetën se cila ishte makina e Markut dhe pastaj na thanë që ishte nën sekuestrim. Mendova se ishte ndonjë problem lidhur me aksidentin e dhjetorit ose ndoshta kishte goditur dikë pa e kuptuar. Por pastaj kuptova se ishte diçka më serioze. Nuk na dhanë asnjë shpjegim, por nga numri i njerëzve që erdhën, ishte e qartë që diçka ishte shumë e rëndë,” thotë sekretarja.
“Makina ishte ende e çmontuar. I thashë oficerëve që ta montonim menjëherë, por ata nuk na lejuan të prekej më dhe e morën me vete të çmontuar,” tha mekaniku.
“Kur më vonë u përhap lajmi për gjetjen e Ilarisë, mbetëm të shokuar, askush nuk mund të kuptojë si një djalë kaq i mirë mund të ketë kryer një vrasje”, thanë punonjësit e servisit.