Gjykata e Posaçme ka rrëzuar sërish kërkesën e presidentit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta për zëvendësimin e masës së sigurisë “arrest në burg”. Avokati i tij, Kujtim Cakrani tha për mediat se priste nga gjykata që t’i jepte sipas tij, të drejtën proceduriale dhe ligjore kreut të Partisë së Lirisë.
Cakrani theksoi se Meta nuk mund të lërë dot garanci pasurore për të dalë nga qelia sepse sipas tij, “ai nuk disponon pasuri”. Ai akuzoi se organi i procedurës nuk dha asnjë shpjegim dhe nuk kishte bazë ligjore që të arsyetonte se pse Meta duhet të mbesë në burg.
“Kisha një farë shprese se besoj te gjykata. Por mendova se viti i ri, gjykata do të kishte reflektuar me gjithë problematikat që ka shfaqur vitin e kaluar dhe menduam se do e niste mbarë duke i dhënë një të drejtë proceduriale dhe ligjore që presidenti të vazhdonte gjykimin në një masë tjetër sigurimi. Zoti Meta nuk ishte sepse nuk i beson këto zëvendësimet. Ne jemi avokatët e tij dhe jemi të pavarur nga mendimi i tij politik. Zoti Mea nuk mund të lë garanci pasurore se nuk ka pasuri. Unë kam qenë dispponibël që t’i lija nga pronat e mia dhe do t’ia lë me shumë kënaqësi. Ne do ta nxjerrim sepse është i pafajshëm.”
Përmendi gjithashtu edhe kallëzimin penal që kanë bërë kundrejt Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, duke e akuzuar se nuk po e lejon Metën “që të kryejë funksionin e tij politik, që të ushtrojë të drejtat e tij politike si kryetar i partisë së dytë opozitare në vend dhe si ish president”.
Ai u pyet nga gazetarët nëse do të ankohen tek Avokati i ri i Popullit, Endri Shabani për këtë sjellje që sipas tij po bën gjykata.
“Nëse doni të bëni humor, mund ta kthejmë edhe në humor. Ne po flasim para publikut dhe duhet të jemi seriozë. Ne nuk ankohemi te ky avokat populli derisa të zgjidhet nga GJK. Avokati i popullit nëse do të bëjë punën e vet, i jep detyrimin ligjor që të nisë kryesisht hetimin administrativ dhe nuk ka nevojë ne që të investohemi.”, tha ai.
Kujtojmë që SPAK mbylli hetimet më 28 korrik, ndërsa dosjen e kaloi për gjykim në fund të gushtit, e cila përfshiu tre hetime në një aferën CEZ-DIA, lobimin e LSI në SHBA dhe hetimin pasuror. Ish presidenti akuzohet për tre vepra penale: korrupsion pasiv, pastrim parash e mosdeklarim pasurie.


