Nënkryetari i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka reaguar pas arrestimit të Ergys Agasit, duke ngritur pikëpyetje mbi rrethanat dhe kohën e ndalimit të tij. Përmes një reagimi, Këlliçi pretendon se Agasi, edhe pse ishte në kërkim prej muajsh, vijonte të lëvizte lirshëm dhe se në momentin e arrestimit ndodhej në makinë së bashku me një ish-drejtues të lartë të Policisë së Shtetit.
“Cilat raporte në kupolën e Organizatës janë prishur, që u arrestua sot Gysi i Ramës?!”, shkruan Këlliçi. Sipas tij, arrestimi i Agasit konfirmon denoncimet e PD-së se ai kishte pasur mbështetje dhe mbrojtje nga struktura shtetërore, pavarësisht se ishte shpallur në kërkim.
Këlliçi ngre më tej një seri pikëpyetjesh politike, duke e lidhur arrestimin me përplasjet e mundshme brenda mazhorancës dhe ndryshimet e pritshme në qeveri. “Çfarë ka ndryshuar në raportet dhe përplasjet e pushtetit, brenda kupolës së Organizatës Kriminale ‘Rilindja’, që sot u vendos të ndërpritej rehatia e Agasit dhe t’i vendoseshin prangat?”, shprehet ai. Nënkryetari i PD-së hedh edhe një tezë tjetër, sipas së cilës arrestimi mund të jetë pjesë e një lëvizjeje politike të lidhur me përplasjet brenda qeverisë. Këlliçi e paraqet këtë si një hipotezë politike, duke e lidhur me situatën e krijuar përpara ndryshimeve të mundshme në kabinet.
Reagimi
Cilat raporte në kupolën e Organizatës janë prishur, që u arrestua sot Gysi i Ramës?!
Ergys Agasi edhe pse në kërkim policor prej muajsh, ishte në rutinën e tij duke udhëtuar me makinë nga Elbasani në Durrës, nën shoqërinë e një ish drejtuesi të lartë të policisë së shtetit, kur u arrestua pak më parë.
Sërish u konfirmua denoncimi i Partisë Demokratike se koordinatori i Edi Ramës për krimin dhe një prej njerëzve më të afërt të Kryeministrit, kishte mbrojtje shtetërore dhe nuk ndalohej nga policia, edhe pse dihej shumë mirë se ku shkonte, ku fshihej e ku qëndronte.
Po çfarë ka ndryshuar në raportet dhe përplasjet e pushtetit, brenda kupolës së Organizatës Kriminale ‘Rilindja’, që sot u vendos të ndërpritej rehatia e Agasit, dhe t’i vendoseshin prangat?!
Është e thjeshtë dhe e logjikshme teza që kjo të jetë një lëvizje emergjente e Ballukut, nën urdhërat e të cilës është kryepolici Skënder Hita, i njohur gjerësisht dhe si Skënder Balluku, si shenjë presioni ndaj Edi Ramës!!!
Në shtator priten ndryshime në qeveri, nën trysninë që ka krijuar protesta e 88 ditëve, dhe të besuarit e Ballukut që janë gjysma e qeverisë, janë më të rrezikuarit!
Informacione ka se edhe kërkesa e dytë e SPAK për imunitetin e Ballukut, është tashmë drejt zyrtarizimit!
Me lëvizjen sot dhe goditjen e Agasit, ish zëvendëskryeministrja i dërgon mesazh të qartë shefit të Organizatës se çfarë është në gjendje të bëjë.
Duke i thënë t’i mbajë larg duart nga qeveria, që praktikisht ajo e ka nën kontroll të plotë!
Sot i’a arrestoi Gysin, në makinë me Shpatarakun! Nesër, mbase i arreston Olsin, në ndonjë zyrë kadastre, apo ambjent kazinoje!
The post “Kërkesa e dytë e SPAK për Ballukun, drejt zyrtarizimit”, Këlliçi zbulon prapaskenat: Cilat raporte u cenuan që u arrestua Ergys Agasi? Mesazhi që mori Rama nga ish-zv/kryeministrja appeared first on Gazeta Shqiptare Online.