Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, gjatë fjalës së tij në konferencën “Fuqia e bashkëpunimit” organizuar nga Instituti i Audituesve të Brendshëm, u shpreh se është ngritur një sistem i fuqishëm monitorimi dhe vlerësimi.
Guvernatori i BSH u shpreh se roli i auditit të brendshëm është bërë më jetik se kurrë, teksa shtoi se duhet bashkëpunim i ngushtë.
“Bashkëpunimi i ngushtë ndërmjet audituesve të brendshëm, funksionit të auditit të jashtëm dhe autoriteteve mbikëqyrëse, siç është Departamenti ynë i Mbikëqyrjes, është thelbësor për të siguruar një qasje të koordinuar dhe efikase ndaj menaxhimit të risqeve dhe forcimit të qeverisjes”, u shpreh Sejko.
Fjala e plotë:
Është kënaqësi dhe nder për mua të jem sot mes jush në këtë konferencë të rëndësishme rajonale, e cila synon të theksojë fuqinë e bashkëpunimit midis profesionistëve të auditimit të brendshëm dhe të jashtëm, si dhe institucioneve që përfaqësojnë hallkat kyçe të qeverisjes.
Në një mjedis gjithnjë e më kompleks dhe dinamik, roli i auditit të brendshëm është bërë më jetik se kurrë. Auditimi i brendshëm nuk është thjesht një funksion kontrolli – ai përfaqëson një partner strategjik në mbështetje të objektivave të institucionit, duke ofruar siguri, këshillim dhe vlerë të shtuar. Ai ndihmon në identifikimin e hershëm të risqeve, përmirësimin e proceseve dhe mbrojtjen e integritetit institucional.
Në Bankën e Shqipërisë, ne i kushtojmë një rëndësi të veçantë forcimit të auditimit të brendshëm, duke garantuar që ai të jetë në përputhje me Standardet Ndërkombëtare për Praktikën Profesionale të Auditimit të Brendshëm dhe me kërkesat më të avancuara të qeverisjes. Për të qenë në një hap me praktikat më të mira të fushës, Auditimi i Brendshëm ka qenë vazhdimisht pjesë e programeve të bashkëpunimit me bankat qendrore homologe dhe FMN-në. Më konkretisht:
Së pari, kemi investuar në zhvillimin profesional të vazhdueshëm të auditorëve tanë të brendshëm, përmes trajnimeve të specializuara, certifikimeve ndërkombëtare si Certified Internal Auditor (CIA) dhe pjesëmarrjes në seminare e konferenca profesionale.
Së dyti, kemi forcuar metodologjinë e auditimit, duke adoptuar një qasje të bazuar në vlerësimin e rrezikut.
Së treti, kemi ngritur një sistem të fuqishëm monitorimi dhe vlerësimi të cilësisë së punës së auditimit të brendshëm.
Gjithashtu, një moment i rëndësishëm në historikun tonë ishte krijimi në vitin 2016 i Komitetit të Auditimit të Brendshëm, si një mekanizëm për të nxitur pavarësinë dhe cilësinë e Auditimit të Brendshëm.
Por, auditimi i brendshëm nuk vepron në mënyrë të izoluar. Bashkëpunimi i ngushtë ndërmjet audituesve të brendshëm, funksionit të auditit të jashtëm dhe autoriteteve mbikëqyrëse, siç është Departamenti ynë i Mbikëqyrjes, është thelbësor për të siguruar një qasje të koordinuar dhe efikase ndaj menaxhimit të risqeve dhe forcimit të qeverisjes.
Ky bashkëpunim nuk nënkupton mbivendosje rolesh, por një ndarje të qartë dhe plotësuese të përgjegjësive, duke ndihmuar në përmirësimin e kontrollit të brendshëm dhe duke krijuar besim tek të gjitha palët e interesuara – përfshirë edhe publikun.
Në një kontekst më të gjerë, ku institucionet financiare përballen me sfida të reja si digjitalizimi, rritja e rreziqeve kibernetike, zhvillimet klimatike dhe presionet për qëndrueshmëri, roli i auditorëve – dhe sidomos bashkëpunimi mes tyre dhe autoriteteve rregullatore – mbetet kyç për ruajtjen e qëndrueshmërisë financiare dhe transparencës.
Për këtë arsye, forume si kjo konferencë, që sjellin së bashku profesionistë nga vende të ndryshme, janë më shumë se takime teknike. Ato janë platforma për shkëmbimin e dijes, praktikave më të mira dhe për ndërtimin e një kulture bashkëpunimi rajonal, që ndihmon në konsolidimin e institucioneve tona.
Të nderuar pjesëmarrës,
Si Guvernator i Bankës së Shqipërisë, dua të ritheksoj angazhimin tonë për të mbështetur zhvillimin profesional të audituesve, për të forcuar standardet dhe promovuar një qasje të integruar në qeverisjen institucionale. Jemi të bindur se vetëm përmes bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet audituesve të brendshëm, të jashtëm dhe autoriteteve mbikëqyrëse, mund të ndërtojmë institucione më të forta, më transparente dhe më të besueshme.
Ju falënderoj për ftesën dhe ju uroj suksese në punimet e konferencës.
Faleminderit!