FBI ka akuzuar qeverinë iraniane se ka përdorur katër faqe interneti për të shpërndarë informacion të vjedhur nga qeveria e Shqipërisë, disidentët iranianë, zyrtarë të qeverisë izraelite dhe kompani amerikane.
Në një raport prej 40 faqesh, FBI përshkruan disa sulme kibernetike të nisura nga Ministria e Inteligjencës dhe Sigurisë e Iranit (MOIS) përmes një serie emrash online, më së fundmi duke vepruar nën emrin “Handala”.
Departamenti i Drejtësisë konfiskoi katër faqe, Justicehomeland[.]org, Handala-Hack[.]to, Karmabelow80[.]org dhe Handala-Redwanted[.]to, të cilat sipas akuzave u përdorën nga MOIS-i iranian në operacione që datojnë që nga viti 2022.
FBI tha se faqja Handala ishte e lidhur me domenë të tjerë të përdorur nga MOIS-i iranian në operacione që datojnë që nga viti 2022. Ajo është një nga faqet u përdor edhe për të shpërndarë informacionin e vjedhur gjatë dy sulmeve kibernetike ndaj qeverisë shqiptare në 2022.
INFILTRIMI I AGJENIT TË FBI-SË
FBI po ashtu ka zbuluar se një agjent i infiltruar ka blerë nga hakerat iranianë databasën e e-albania dhe të kartave ID të shqiptarëve me bitcoin.
Në raport thuhet se rreth datës 25 shkurt 2025, një agjent i FBI-së, në mënyrë të fshehtë kontaktoi “Homeland Justice” përmes aplikacionit të mesazheve Telegram, me qëllim marrjen e një kopjeje të të dhënave që ky personazh pretendonte se posedonte.
Më 26 shkurt 2025, “Homeland Justice” iu përgjigj, duke deklaruar se posedonte “…e-albania dhe baza të tjera të të dhënave që mbulojnë kartat e identitetit shqiptare dhe informacion tjetër të ndjeshëm” dhe e ofroi informacionin për shitje.
Më 1 mars 2025, “Homeland Justice” shkroi po ashtu se: “…informacioni për shitje përmban shumë më tepër të dhëna të ndjeshme sesa ato që kemi publikuar falas.”
Biseda në Telegram mes agjentit të FBI-së dhe “Homeland Justice”
25 Shkurt
FBI: Hi, pashë që keni disa të dhëna. Keni ndonjë kartë ID të re ose diçka tjetër për të shitur?
26 Shkurt
Homeland Justice: Kemi e-albania dhe baza të tjera që mbulojnë kartat e identitetit shqiptare dhe informacion tjetër të ndjeshëm. Dëshiron ta blini?
27 Shkurt
FBI: Mirë, sa kushton? A është më shumë se çfarë keni publikuar në feed-in tuaj? Jam i interesuar për një bazë të plotë të dhënash që ta përdor.
1 Mars
Homeland Justice: Po, përmban shumë më tepër informacion të ndjeshëm sesa ajo që kemi publikuar publikisht. Nëse dëshiron të blesh bazën e të dhënave e-albania, kostoja është 0.05 BTC. Nëse dëshiron të blesh kartat e identitetit shqiptare, kostoja është 0.01 BTC.
“Bazuar në karakteristikat e të dhënave të vjedhura nga sulmi kibernetik ndaj Shqipërisë në 2022 dhe fakti se një adresë me emrin “Homeland Justice” po përpiqej t’i shiste këto të dhëna, ekziston një arsye e bazuar për të besuar se informacioni i blerë përmban të dhëna të marra nga kompjuterët e qeverisë shqiptare gjatë sulmeve kibernetike më 15 korrik 2022 dhe 9 shtator 2022”, shkruan FBI në raport.
Ndër të tjera, FBI ka zbuluar se baza e të dhënave që agjenti i tyre bleu nga “Homeland Justice” përmbante numra të kartave ID shqiptare, emra dhe mbiemra, data lindjesh, adresa dhe informacione të tjera personale të ndjeshme të qytetarëve shqiptarë.
Kujtojmë se hakerimi i parë ndodhi në korrik 2022, para një konference në Shqipëri që do të merrnin pjesë anëtarë të Mujahideen-e Khalq (MEK), një grup iranian që Teherani e konsideron organizatë terroriste. Incidenti shkaktoi ndërprerje në disa shërbime qeveritare dhe zyrtarët u përpoqën të rikuperonin sistemet.
Në shtator 2022, Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, njoftoi një sulm të dytë kibernetik që goditi Sistemin e Menaxhimit Total të Informacionit (TIMS), i cili ndihmon automatizimin e procesit të kontrollit të pasaportave dhe krahasimin e personave në bazat e të dhënave për arratisje.
Agjencia për Sigurinë Kibernetike dhe Infrastrukturën (CISA) më pas tha se hakerët iranianë kishin qenë në rrjetet shqiptare për më shumë se një vit. Sulmi kibernetik u mundësoi iranianëve akses në sistemet e emailit të qeverisë shqiptare dhe ata vodhën informacion që përfshinte edhe korrespondencën midis SHBA-së dhe Shqipërisë, po ashtu edhe databasen e-Albania dhe të kartave ID të shqiptarëve.


