Gazetarja Anduena Llabani, e ftuar në studion e News24, deklaroi se dorëheqja e ish-drejtoreshës së AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, nuk ka qenë një vendim i vullnetshëm, por i detyruar nga rrethana ligjore.
Sipas Llabanit, emri i Karçanajt përmendet në një dosje kriminale që po hetohet nga SPAK. Gazetarja tha se disponon informacion se ish-drejtoresha është detyruar të japë dorëheqjen pikërisht për shkak të përfshirjes së saj në këtë dosje.
Ajo shtoi se gjatë muajit dhjetor ishte informuar se Karçanaj kishte marrë një banesë me qira së bashku me vajzat e saj, duke lënë apartamentin në fjalë. Sipas gazetares, ky veprim mund të lidhet me dijeninë për një hetim të mundshëm.
Gazetarja theksoi gjithashtu se ish-drejtoresha e AKSHI-t ka dijeni për shumë prej tenderave të realizuar në institucion, duke shtuar se drejtues të tillë mbajnë përgjegjësi ligjore për veprimet e tyre dhe do të duhet të përballen me drejtësinë nëse provohen shkelje.
Anduena Llabani: Ishte pak e çuditshme dorëheqja e drejtoreshës së AKSHI-t, por disponoj informacion se Mirlinda Karçanaj është detyryar të japë dorëheqjen për shkak të emrit të saj përmendur në një dosje kriminale që disponon SPAK.
Karçanaj ka blerë një pronë private nga një grup kriminal që po hetohet nga SPAK që merret me trafikun ndërkombëtar të drogave të forta, zonja e ka fshehur një shifër të tillë, bëhet fjalë për 300-400 mijë euro që janë hedhur në një pronë biznes apartament që ajo ka blerë.
Gjatë muajit dhjetor ne u informuam që zonja Karçanaj kishte marrë një shtëpi me qira bashkë me vajzat e saj, duke dashur të shkëputet nga apartamenti që si duket se e ka ditur se do të hetohet. Besoj kjo është pikë e nxehtë që e ka vënë në vështirësi, nëse SPAK do të arrijë ta shtojë në dosjen e saj, që ka blerë një pronë nga persona kontingjent kriminal.
Zonja Karçanaj di shumë, për tenderat e kryer në AKSH, por këta drejtues kanë dhe përgjegjësi të tjera penale që do ti lajnë me drejtësinë.


