Policia e Sarandës ka shpallur në kërkim një 21-vjeçar nga Kamza, i identifikuar si Mariglen Bajrami, i dyshuar për kanosje me armë të ftohtë ndaj familjarëve të Matilda Qurkut, ish-kandidate për deputete nga radhët e Partisë Demokratike.
Ngjarja ka ndodhur në lagjen nr. 4 të qytetit bregdetar, pranë një restoranti në pronësi të familjes Qurku. Sipas burimeve nga policia, i riu është përfshirë fillimisht në një debat verbal me disa anëtarë të familjes, përpara se t’i afrohej babait të Matilda Qurkut me një thikë të fshehur pas shpine.
I gjithë momenti është kapur nga kamerat e sigurisë dhe pamjet janë dorëzuar tashmë në polici, e cila ka nisur menjëherë hetimet dhe ka shpallur të riun në kërkim.
Në një reagim publik në rrjetet sociale, Matilda Qurku ka sqaruar se nuk ka asnjë konflikt personal me të riun, ndërsa thekson se e vetmja lidhje me të riun, është se prindërit e tij, kanë qenë punonjës në biznesin e saj, dhe janë larguar me dëshirën e tyre dhe në paqe totale, duke marrë pagesën e kërkuar.
Postimi i Matilda Qurkut
Një nga netët më të vështira të jetës sime si nënë.
Një person i dhunshëm, pa asnjë arsye, u shfaq me thikë në dorë para lokalit tim.
U afrua makinës ku ishin fëmijët e mi (2 dhe 10 vjeç), dy nipërit dhe bashkëshorti.
Kur nipi pa armën, i thotë:
“Jepi gaz se ka armë!”
Elidoni largohet për të shpëtuar fëmijët, por më telefonon menjëherë:
“Dil ndihmo Donin, po i afrohen me armë!”
Babai im ishte shumë pranë agresorit.
Dal pa menduar dy herë dhe i dal përballë.
Reaguan edhe qytetarë të rastësishëm që i falënderoj me gjithë zemër.
Agresori largohet… por jo për t’u ndalur.
Ai ndjek makinën dhe e godet pesë herë me radhë, me shpejtësi dhe qëllim të qartë për të bërë keq.
Zëri i nipit tim në telefon që bërtiste:
“Na ndihmo, po na vret!”
është diçka që s’do ta harroj kurrë.
Mbrëmë më keni parë të vrapoja si “e çmendur” rrugëve të lagjes në kërkim të familjes sime që dikush po përpiqej t’ma vriste – pa bërë asnjë faj.
E vetmja lidhje me këtë njeri është se prindërit e tij, ish-punonjës në biznesin tim, janë larguar me dëshirën e tyre dhe në paqe totale duke marrë pagesën e kërkuar.
Nuk kërkoj asgjë më shumë se çfarë na takon si qytetarë:
SIGURI dhe DREJTËSI.
—
Po ndaj disa prej videove të kësaj ngjarjeje –
jo për të bërë zhurmë,
por për të treguar të vërtetën.
P.S:
Kush nga ju miq e sheh këtë fytyrë të njoftoj sa më shpejt Policinë e Shtetit