Teksa Ministria e Brendshme ka shpallur zyrtarisht emrat e 15 kandidatëve në garën për drejtor të Përgjithshëm të Policisë, mësohet se Hajrulla Xhivini është një emër i njohur.
Mësohet se Xhivini është një ish-drejtues i Policisë së Shtetit, por prej kohësh njihet edhe si një “tiktoker” që sulmon qeverinë dhe drejtuesit e policisë në videot e tij.Në muajin Korrik ky shtetas ra në prangat e Policisë së Tiranës, pasi urinoi në derën e Gjykatës së Lartë dhe shantazhoi kryetarin Sokol Sadushi.
Gjithashtu togat e zeza dhanë ndaj tij masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” duke e akuzuar për veprat penale “Kanosja për shkak të detyrës” dhe “Prishje e qetësisë publike”.
Tashmë Hajrulla Xhivini shfaqet si përfaqësues i një subjekti të quajtur “Shqipëria Europiane” dhe ka shprehur interes për garën për kryepolic të Shqipërisë.
Interesin e tij për këtë pozicion e ka shprehur dhe në një video të shpërndarë disa orë më parë në rrjetet sociale ku thotë nga Italia se garon për të qenë drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit.