SPAK ka kërkuar dënimin me një vit burg për Dritan Lleshin, i njohur edhe si Dritan Ndreca, i akuzuar për veprën penale “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.
Prokuroria e Posaçme ka propozuar që dënimi të ulet me 1/3 për shkak të gjykimit të shkurtuar, duke përfunduar në 8 muaj burg.
Sipas SPAK, në vitin 2019, i pandehuri i ka premtuar një gruaje punësimin e djalit të saj si inspektor mjedisi në Fier, kundrejt një shume prej 400 mijë lekësh. Gjatë bisedës, ai i ka thënë se “kam vëllain në Ministrinë e Brendshme”, duke lënë të kuptohet se kishte mundësi të ndërhynte për të siguruar vendin e punës.
Kallëzimi është bërë nga shtetasi A.N., i punësuar pranë një pike karburanti në fshatin Gorre të Lushnjës, i cili deklaroi se bashkëshortja e tij, A.M., kishte rënë pre e këtij premtimi.
Sipas kallëzimit, në muajin qershor 2019, familja i ka dorëzuar Dritan Lleshit një kapar prej 200 mijë lekësh, ndërsa pjesa tjetër do të jepej pas përfundimit të punësimit. Megjithatë, vendi i punës nuk u realizua as në shtator, siç u premtua në vijim.
Nga hetimet ka rezultuar se Dritan Lleshi kishte lidhje familjare me një shtetas me inicialet P.N., i punësuar në Ministrinë e Brendshme, dhe këtë fakt e ka përdorur për të ushtruar ndikim të paligjshëm.
“Nga analiza e provave dhe të dhënave të grumbulluara rezulton e provuar se i pandehuri Dritan Lleshi ka kryer veprën penale ‘Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike’, parashikuar nga neni 245/1, paragrafi 2 i Kodit Penal,” thuhet në qëndrimin e SPAK.
Njoftimi i SPAK:
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë ka paraqitur konkluzionet përfundimtare para Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë në ngarkim të të pandehurit: Dritan Lleshi, i akuzuar për kryerjen e veprës penale: “Ushtrim i ndikimit te paligjshem ndaj personave qe ushtrojne funksione publike”, parashikuar nga neni 245/1, paragrafi 2 i Kodit Penal.
Në bazë të kësaj dispozite, Prokuroria e Posaçme ka kërkuar dënimin e tij me një vit burg, por sipas nenit 406 të Kodit të Procedurës Penale u propozua ulja e dënimit me 1/3, në 8 (tetë muaj).
Gjykimi i të pandehurit vjen pas vendimit me nr.717, i datës 14.10.2024, për shpalljen e moskompetencës lëndore të procedimit penal nr.586, të vitit 2020, nga Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Fier si dhe dërgimin e akteve në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë.
Nga hetimi gjyqësor rezulton e provuar se shtetasi A.N, i punësuar në një njësi të shitjes së karburantit “Veliaj Petrol”, është paraqitur më datën 8.10.2020 në Drejtorinë Vendore të Policisë, në fshatin Gorre të Lushnjës dhe ka bërë një kallëzim.
Sipas këtij kallëzimi, në vitin 2019, i pandehuri Dritan Lleshi, i njohur prej tij me emrin Dritan Ndreca, me origjinë nga Puka, ose Laçi, banues në fshatin Ngurrëz e Vogël, Lushnjë i ka premtuar A.M, bashkëshortes së A.N, punësimin e djalit të tyre, E.N si inspektor mjedisi në Fier, kundrejt shumës prej 400.000 lekësh.
I pandehuri i ka thënë se kishte një vëlla në Tiranë, me emrin P.N, i cili punonte në Ministrinë e Brendshme dhe përmes tij do të ndërhynte që djali i kallëzuesit të fitonte konkursin për inspektor mjedisi në Fier ose Lushnjë. Sipas planit të prezantuar prej të pandehurit Dritan Lleshi, , kjo do të realizohej në muajin qershor të 2019, kohë kur A.N i ka dorëzuar edhe një kapar prej 200.000 lekësh Dritan Lleshit, i cili më pas e shtyu mundësinë për punësim në shtator të të njëjtit vit.
Nga analiza e provave dhe të dhënave të grumbulluara në kuadër të hetimit të këtij procedimi penal, rezulton e provuar se i pandehuri Dritan Lleshi, me lidhje familjare me P.N (djali i xhaxhait), ka kryer veprën penale “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 245/1 paragrafi 2 i Kodit Penal.
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka nisur procedimin penal 16/2025, në ngarkim të shtetasit A.N për veprën penale : Ushtrim i ndikimit te paligjshem ndaj personave qe ushtrojne funksione publike”, parashikuar nga neni 245/1, paragrafi 1 i Kodit Penal.