Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla është marrë në pyetje si dëshmitar për dosjen “Partizani”, në cilësinë e kallëzuesit.
Në seancën e sotme (30 prill ) në GJKKO Taulant Balla është përballur edhe me Jamarbër Malltezin, dhëndrin e ish kryeministrit Sali Berisha.
Në fjalën e tij, Balla ka theksuar se kallëzimi i tij është shoqëruar me dokumentacion të detajuar dhe data konkrete.
Ai ngriti dyshime mbi procedurat e ndjekura për privatizimin dhe vlerësimin e pronave, duke e konsideruar procesin të dyshimtë.
“Si dashamirës i sportit, kam dorëzuar dokumente që tregojnë mospërputhje, ku në një rast prona përfshihej në planin e përhapjes dhe në një tjetër jo. Gjithashtu, vlerësimi i dy ndërtesave ka qenë në mënyrë qesharake i ulët,” deklaroi Balla.
Sipas tij, faza e parë e procedurës është zhvilluar në një periudhë të shkurtër prej 6 muajsh, duke ngritur pikëpyetje mbi ligjshmërinë e procesit. Ai shtoi se në kallëzimin e tij ka përfshirë edhe dyshime për pastrim parash dhe fshehje pasurie.
Gjatë pyetjeve nga përfaqësuesit të SPAK, Balla u shpreh se është njohur përmes mediave me pretendime se pronarët e mëparshëm të pronës janë dëmshpërblyer vite më parë.
I pyetur nga Jamarbër Malltezi, një nga pronarët e tokës, Balla sqaroi pozicionin e tij në kohën e depozitimit të kallëzimit, duke theksuar se ka qenë Sekretar i Përgjithshëm dhe më pas Kryetar i Grupit Parlamentar të PS, por kallëzimin e ka firmosur si qytetar.
“Kam kryer detyrën si çdo qytetar, në dobi të interesit publik,” tha ai, duke shtuar se vendimi për kallëzimin ka qenë personal dhe jo i grupit parlamentar.
Balla deklaroi se mbledhja e provave ka qenë rezultat i një pune disa vjeçare hetimore, duke përdorur edhe të drejtën që i jep ligji për statusin e deputetit për të kërkuar informacion nga institucionet. Ai sqaroi se një pjesë e të dhënave janë siguruar përmes institucioneve shtetërore dhe një pjesë tjetër përmes qytetarëve.
Pjese nga pyetje përgjigjet gjate seances:
Balla: Si dashamirës i sportit unë ne kallëzim i kam shoqëruar me dokumente me data, pasi në një dokument ishte ne planin e përhapjes dhe në dokumentin tjetër nuk ishte në planin e përhapjes. Ka një moment tjetër që lidhet me vlerwsimin e ndërtesave, si ka mundësi që dy ndërtesa aq të mëdha të vlerësoheshin me një vlerë parash aq qesharake. Faza e pare e procedurës , ishte e dyshimtë pasi u bë në një periudhë prej 6 muajsh, në atë kohë ishte rasti i parë. Elementi tjetër ka të bëj me dyshimet për pastrim parash dhe fshehje pasurie, që unë i kam bërë në kallëzimin tim. Në atë kohe ne kemi theksuar se personi që kishte 1/64 e pronës kishte bërë marrëveshje që përpara se të bëhej privatizimi i pronës. Më pas ai që kishte 100% të aksioneve të Home plan ja shet aksionet në një vlerë shume qesharake, por unë si mbaj mend sepse ka kaluar shumë kohë.
SPAK: Ju keni ngritur dyshime për origjinën e pronësisë, pasi pretendoi se janë dëmshpërblyer?
Balla: Jam njohur nga mediat me nje dokument ku thuhej se pronarët janë dëmshpërblyer shumë vite më parë. Dihej botërisht që qeveria italiane nuk mund të ndërtonte një aeroport pa pasur një dokument pronësie.
SPAK: A ju kujton gjë shoqëria G Kamp
Balla: jo nuk me kujtohet.
Jamarbër Malltezi: Çfarë pozicioni ishit kur betë kallëzimin?
Balla: Kam qene sekretar i përgjithshëm i PS. Unë kam kryer detyrën si çdo qytetar. Kam kryer detyrën ne dobi te interesit publik. Kam qene kryetar i grupit te PS
Jamamber Malltezi: A me sqaron dot se ku punoni?
Balla: Jam deputet i parlamentit të Shqipërisë
Malltezi: Po funksion tjetër
Balla: Drejtues politik i PS për diasporën
Malltezi: Sa kohë keni deputet
Balla: 9 shator 2005
Malltezi: Në çfarë pozicioni keni qenë kur keni bërë kallëzimin
Balla: kam qenë kryetar i grupit të partisë socialiste
Malltezi: Në çfarë cilësie e keni bëre kallëzimin?
Balla: E kam nënshkruar si qytetar
Malltezi: Dëshmitri thote e kam firmos si qytetar ndërkohë duket qartazi ndryshe.
Balla: Në lidhje me këtë çështje kam kryer detyrën si qytetar i republikës së Shqipërisë, kam bërë detyrën edhe si deputet dhe përfaqësues i një funksioni publik.
Malltezi: A ka qenë kjo veprimtari e grupit parlamentar?
Balla: është e ndërthurur, vendimi ka qene i imi, jo i grupit parlamentar të PS.
Malltezi: Provat a janë depozituar nga ju?
Balla: Kjo ka qenë një punë hetimore shumë vjeçare, kam shfrytëzuar ligjin për statusin e deputetit dhe kam mbledhur dokumentet dhe i kam depozituar në prokurorin e posaçme.
Malltezi: një pjese e këtyre të dhënave janë të dhëna personale? Si janë marrë provat?
Balla: U jam drejtuar institucioneve në lidhje me procedurat që janë ndjekur, një pjesë kanë qenë edhe nëpërmjet qytetarëve.


