Një konflikt i pazakontë mes dy fqinjëve në një pallat në Lezhë ka dalë në dritë pas ankesës së qytetarit Përparim Dragoi në emisionin investigativ “Tak Fak” në News24. Ai akuzon fqinjët e katit të sipërm se prej muajsh ujërat e zeza po përmbytin apartamentin e tij, duke e bërë të pajetueshëm për vete dhe familjen.
Sipas Dragoit, problemi vjen nga banesa e katit të katërt, por në një telefonatë të zhvilluar me gazetaren Klaudja Mertkola, Mark Gjoka, i zoti i kësaj banese- mohon përgjegjësinë dhe thotë se burimi i rrjedhjes është në katin e pestë, në zonën e tarracës.
“Përparimi ka të drejtë, por problemi nuk vjen nga hyrja ime. Kam paguar 2 milion lekë për riparime, por përsëri ka rrjedhje. Ujërat e zeza vijnë nga tubacionet anësore. E njëjta rrjedhje ka ndodhur edhe në banesën time,” shprehet Gjoka.
Pas refuzimit për të bashkëpunuar, gazetarja e Tak Fak dhe qytetari Dragoi u paraqitën në Policinë e Lezhës, ku depozituan një kallëzim penal. Si rrjedhojë, një grup ekspertësh të kriminalistikës u dërgua në vendngjarje për të dokumentuar dëmet në apartament.
Hetimet janë në vijim dhe pritet të përcaktojnë përgjegjësinë ligjore për ndotjen e përsëritur me ujëra të zeza që ka shkaktuar dëme materiale dhe një konflikt të fortë mes banorëve të pallatit në Lezhë.