Një aktivist i protestës deklaroi se presioni ndaj kryeministrit Edi Rama po shtohet nga dita në ditë, duke pretenduar se kreu i qeverisë ndodhet në panik dhe se protesta nuk do të ndalet deri në dorëheqjen e tij.
Gjatë fjalës së mbajtur në ditën e 61-të të protestës, aktivisti tha se, ndryshe nga fillimi i protestave kur, sipas tij, qeveria nuk i merrte seriozisht protestuesit, tashmë vetë Rama ka pranuar publikisht se ka menduar për dorëheqjen.
“Sa më shumë kalojnë ditët, aq më i madh bëhet presioni ndaj Ramës. Në fillim nuk na merrte seriozisht, ndërsa tani thotë se për herë të parë ka menduar dorëheqjen. Kjo tregon se e ka kuptuar se kjo protestë nuk do të tërhiqet pa u larguar ai nga detyra”, u shpreh aktivisti.
Ai hodhi poshtë deklaratat e kryeministrit se gëzon mbështetjen e 800 mijë qytetarëve, duke e akuzuar se ka shkelur detyrimet ndaj tyre. Sipas tij, protestuesit do të vazhdojnë mobilizimin “me çdo formë demokratike” deri në largimin e Ramës nga posti i kryeministrit.
Në fjalën e tij, aktivisti komentoi edhe deklaratat e ministrit të Jashtëm për nevojën e hapjes së një konsullate shqiptare në Bujanoc në emër të reciprocitetit me Serbinë. Ai argumentoi se një hap i tillë nuk përbën reciprocitet, por “pazar politik”, duke theksuar se në Shkodër nuk jeton komunitet serb, ndërsa Shqipëria, sipas tij, respekton të drejtat e pakicave kombëtare.
Aktivisti u ndal edhe te ministri i Jashtëm Ferit Hoxha, duke kujtuar se ai ishte kryenegociatori i marrëveshjes për kufirin detar me Greqinë në vitin 2009, e cila u rrëzua më pas nga Gjykata Kushtetuese. Sipas tij, promovimi i Hoxhës në poste të larta përbën një kontradiktë me qëndrimin që Partia Socialiste mbajti dikur ndaj asaj marrëveshjeje.
Në fund të fjalës, ai kritikoi edhe promovimin politik të Agron Malajt, ish-komandant i Gardës gjatë ngjarjeve të 21 Janarit 2011, duke deklaruar se në vend të vendosjes së drejtësisë për viktimat e asaj dite, ai është promovuar në politikë.
Duke përmbyllur fjalën, aktivisti tha se protesta do të vazhdojë, duke theksuar se, sipas tij, “diplomatët, ministrat dhe politikanët që nuk përfaqësojnë interesat e qytetarëve nuk meritojnë mbështetjen e protestuesve”.Deklarata:
Sa më shunë kalojnë ditët aq më i madh është presioi ndaj Ramës dhe ai po na mbush mendjen se nuk do të largoeht, por ai është në panik dhe si një frikacak do të na tregojë se nuk ka frikë.
Ditët e para të protestës nuk na merrte seriozisht tani thotë se për herë të parë ka menduar dorëheqjen, tani ka kuptuar se kjo protestë nuk tërhiqet pa u dorëhequr Edi Rama dhe na thotë se s’do të tërhiqet.
Na thotë se ka një kontratë me 800 mijë shqiptarë, por ti ke shkelur çdo detyrim prandaj sot në ditën e 61 të protestës që nuk ka ndaluar asnjë ditë të kërkojmë dorëheqjen.
Sot duke u përpjekur të fshehë paniun tha se i pëlqen himni i kësaj proteste, ky himn nuk të pëlqen dhe të ka tmerruar dhe po fsheh panikun që të ka kapluar. Për ty ka nisur numërimi mbrapsh e nëse nuk dorëhiqesh ne do të përpiqemi më çdo formë që ti të mos jesh kryeministër i shqiptarëve. Nuk po plotëson detyrimet.
Dua të prek deklaratat e ministrit të Jashtëm se në emër të reciprocitetit është e domosdoshme një konsullatë në Bujanovc, por ky nuk është reciprocitet, por Pazar, seps nëse në Bujanoc ka shqiptarë, në Shkodër nuk ka serbë. Në RSH janë vetëm 584 qytetarë serbë. Ne e kemi ambasadën dhe respektojmë pakicat etnike, por kjo nuk i shërben reciprocitetit, por nacionalizmit.
Kjo është narrativë që mbështetet te realiteti, nuk duhet të dalim me narrativë ultranacionaliste sepse s’jemi kundër asnjë populli, por kundër kryeministrit. Jemi edhe për të drejtat e shqiptarëve jashtë territorit të 1913.
Ne kemi minitër të Jashtëm Ferit Hoxhën, ai ishte kryenegociator i Marrëveshjes së Detit me Greqinë në 2009, marrëveshje që u hodh poshtë nga GJK sepse cenonte integritetin territorial të Shqiperisë. Pas asaj marrëveshjeje duhet të përfundonte në koshin e historisë, e të mos promovohej, por PS që çoi “Detin” në GJK sot e promovon.
Këta diplomatë nuk dihet kush organizatë i promovon, veprojnë vetëm në dëm të Shqipërisë.
Agron Malaj i grupit të zjarrit në 2011 sot promovohet nga PS dhe Edi Rama. PS në vend që të vinte drejtësi për ata 4 shqiptarë ish-komandantin e promovon si deputet të Kuvendit.
Ndaj për këta diplomatë, ministra dhe politikanë që nuk na përfaqësojnë vijojmë protestën.



