Kanë përparuar hetimet për vrasjen makabre të 22-vjeçares shqiptare, Ilaria Sula nga ish i dashuri i saj, Mark Antony Samson.
Sipas mediave italiane, mësohet se është marrë nën hetim edhe nëna e autorit 23-vjeçar, pasi dyshohet se ka ndihmuar të birin të fsheh trupin e pajetë të Ilarias, duke e futur në valixhe dhe më pas duke e hedhur në një greminë.
Hetuesit që në fillim kishin dyshime për rolin e prindërve të Samson, megjithëse ky i fundit ka thënë se ka vepruar vetëm. Siç raporton LaPresse, nëna është nën hetim për ndihmë në fshehjen e trupit të pajetë, pasi dyshohet se ajo ka dëgjuar klithmat e 22-vjeçares në dhomën e gjumit dhe ka hyrë dhe ka parë trupin e pajetë të vajzës.
Ajo, pas kësaj, ka ndihmuar djalin të pastrojë vendin e krimit, i cili ndodhi në apartamentin e tyre në rrugën Homs, në lagjen Afrikano. Të hënën, më 7 prill, në orën 14:00, nëna e Samson do të merret në pyetje në zyrat e Seksionit të Vrasjeve të Drejtorisë së Krimeve të Rënda të Policisë së Romës.
Teksa pranoi krimin, Mark Samson ka thënë gjithmonë se “ka bërë gjithçka vetë”, por hetuesit kanë pasur dyshime që nga fillimi. Hetuesit do të përpiqen të analizojnë regjistrimet telefonike të babait dhe të nënës së tij. Sipas asaj që ka thënë djali pas arrestimit, nëna ishte në apartament gjatë sulmit ndaj Ilaria Sulas dhe dyshimet për përfshirje e saj në krim janë të mëdha.