Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj, i ka dhënë një mesazh të prerë politikës në prezantimin e projektit të Kodit të ri Penal, duke e quajtur atë një provë për pjekurinë institucionale dhe politike të Shqipërisë. Ajo paralajmëroi se Kodi nuk duhet të kthehet në një mjet frike apo ndëshkimi politik, por duhet të mbrojë qytetarin dhe të garantojë sundimin e ligjit, jo sundimin e ligjvënësve.
“Nëse ky kod do ti shërbejë Shqipërisë nuk duhet ti shpërbejë pushteti. Nuk duhet të jetë dhe as të bëhet një mjet frike apo ndasie, duhet të jetë parzmorja mbrojtëse e qytetarit, jo shpata e shtetit”, – deklaroi Zaçaj.
Duke theksuar se “dispozitat e këtij Kodi do të dëgjohen jo vetëm në gjykata, por edhe në qelitë e paraburgimit dhe në heshtjen e natës”, Zaçaj kërkoi që drejtësia të zbatohet me përkushtim dhe ndershmëri, edhe kur askush nuk po sheh.
Ajo kujtoi se Gjykata Kushtetuese nuk shkruan ligje dhe nuk qeveris, por ruan kushtetutshmërinë, duke matur çdo ligj me standardin suprem të drejtësisë.
“Thelbi i drejtësisë nuk është konfromiteti, por besimi tek vlerat kushtetuese, tek guximi për të vepruar sipas parimeve kur askush nuk të sheh, si dhe forcimi i atyre parimeve edhe kur të gjithë janë duke të parë.”
Në përfundim, Zaçaj u bëri thirrje institucioneve që të mos ngatërrojnë përputhshmërinë teknike me reformën reale, duke kërkuar që Kodi Penal të mos mbetet një ushtrim politik apo ndërkombëtar, por një akt për qytetarin shqiptar.
Holta Zaçaj: Kodi i ri është një provë për institucionet tona, për pjekurinë politike, për të vendosur parimet mbi pasionet.
Dispozitat e këtij kodi do dëgjohen jo vetëm në sallat e gjyqeve dhe në media, por edhe në vendet ku kamerat nuk shkojnë. Në qelitë e paraburgimit, në heshtjen e marrjes në pyetje gjatë natës, në jetën e një të riu fati i të cilit do të vendoset nga zbatimi i drejtësisë dhe jo nga teksti i saj.
Nëse ky kod do ti shërbejë Shqipërisë nuk duhet ti shpërbejë pushteti. Nuk duhet të jetë dhe as të bëhet një mjet frike apo ndasie, duhet të jetë parzmorja mbrojtëse e qytetarit, jo shpata e shtetit. Duhet të mbrojë sundimin e ligjit dhe jo sundimin e ligjvënese.
Ne nuk reformojmë se bota na sheh, reformojmë sepse i detyrohemi vetes që të ndërtojmë një sistem drejtësie penale.
Ky Kod Penal nëse zbatohet me përkushtim na afron më shumë me idealet juridike dhe njerëzore që ndodhen në zemër të kulturës kushtetuese evropiane, proporacionaliteti, siguria juridike, rehabilitimi, ligjshmëria, drejtësia dhe mbi të gjitha paprekshmëria e dinjitetit njerëzor. Të mos e ngatërrojmë përputhshmërinë teknike me reformën e vërtetë. Thelbi i drejtësisë nuk është konfromiteti, por besimi tek vlerat kushtetuese, tek guximi për të vepruar sipas parimeve kur askush nuk të sheh, si dhe forcimi i atyre parimeve edhe kur të gjithë janë duke të parë.
GJK nuk qeveris dhe as nuk shkruan ligje, ajo ruan kushtetutën duke siguruar se çdo ligj pavarësisht qëllimit të tij të matet me standardit suprem të drejtësisë. Kjo gjykatë nuk është tërhequr nga kjo përgjegjësi dhe nuk do të tërhiqet në të ardhmen.