Shefja e Epidemiologjisë dhe Sëmundjeve Infektive në Institutin e Shëndetit Publik, Silva Bino, foli sot në emisionin ”Kjo Javë” të moderatores Nisida Tufa në News 24 lidhur me gripin sezonal që po qarkullon në këtë periudë në vendin tonë.
Bino tha se gripi sezonal është një situatë e zakonshme që ndodh çdo vit. Sakaq ajo tregoi se këtë vit është shtuar intensiteti i gripit AH3N2 që jep forma më të rënda të gripit dhe se ka më pak raste me gripin AH1NI.
Ajo tha se personat që kanë sëmundje kronike diabet, sëmundje të zemrës, të mushkërive të veshkave janë persona që e kalojnë me rëndë gripin, duke thënë se këto kategori mund të paraqesin edhe komplikacione.
Më tej ajo tha se mjekët rekomandojnë vaksinën e gripit për çdo individ mbi moshën 6 muaj.
Ndërkaq Bino tha se vaksina e gripit është më e domosdoshme për personat mbi 60 vjeç, sepse ata bëjnë forma më të rënda të gripit.
Silva Bino: Jemi në sezon gripi, grip sezonal që qarkullon çdo vit në këtë periudhë, nuk kemi asgjë të jashtëzakonshme. Intensiteti është i lartë. Kemi intensitet të shtuar të virusit AH3N2 që jep forma më të rënda se AH1N1. Por nga ana tjetër edhe popullata duke qenë se nuk ka qarkulluar dy vitet e fundit nuk është e mbrojtur. Jemi pak as shumë njëjtë me 2 vitet e mëparshme. Jemi në situatë të zakonshme gripi. Çdo person i cili sëmuret ka karakteristika të veta. Personat që kanë sëmundje kronike diabet, sëmundje të zemrës të mushkërive të veshkave janë persona që e kalojnë me rëndë gripin. Ata bëjnë edhe komplikacione.