Gjykata e Posaçme ka lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest shtëpie” për Jamarbër Malltezin, i akuzuar për dosjen “Partizani”.
Gjyqtarja e GJKKO-së Flojera Davidhi rrëzoi kërkesën e Jamarbër Malltezit për zëvendësimin e masës së sigurisë.
Dhëndri i Sali Berishës ndodhet në arrest shtëpi prej nëntorit të vitit 2023, pasi togat e zeza zëvendësuan masën e caktuar ndaj tij nga “arrest me burg” në atë shtëpiak.
Sali Berisha është në hetim për veprën penale të korrupsionit së bashku me dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezi, i cili akuzohet nga SPAK se ka përfituar të ardhura në vlerën e 5.4 milionë eurove nga një biznes ndërtimi në mënyrë të parregullt falë vendimeve të qeverisë të marra nga vjehrri i tij.
Si Berisha ashtu edhe Malltezi i kanë kundërshtuar akuzat dhe e kanë cilësuar hetimin si të orkestruar nga kryeministri Edi Rama. Gjithashtu, kreu i PD-së dhe mbështetësit e tij e kanë cilësuar këtë masë si përpjekje për asgjësimin e opozitës.