Avokatja e caktuar nga shteti për 41-vjeçarin ka treguar se Ylber Jaku, i cili u paraqit sot në Gjykatë ku iu caktua masa “arrest me burg”, ka kërkuar përfaqësues nga ambasada britanike.
Ylber Jaku ka deklaruar se është shtetas britanik, i martuar me një grua angleze dhe ka dy vajza. Sipas avokates, ai është shprehur se nuk ka besim tek sistemi i drejtësisë dhe nuk ka dëshirë të flasë për rastin, duke shtuar se “kam parë si janë rropatur prindërit e mi për 20 vjet, nuk kam besim dhe nuk flas tek kjo drejtësi”.
Ai ka kërkuar përfaqësues të ambasadës angleze për të shpjeguar rastin dhe ngjarjen e kaluar me prindërit e tij, duke fajësuar neglizhencën e institucioneve dhe pushtetit lokal për këtë situatë.
Ngjarja e rëndë
Krimi ka ndodhur në pasditen e 7 Majit, ku Ylber Jaku ka qëlluar dhe i ka marrë jetën fqinjit të tij, Reshit Sallahu, 34 vjeç, në afërsi të shtëpisë së tij. Ky akt ka pasuar një konflikt të përshkallëzuar prej të paktën 20 vjetësh ndërmjet dy familjeve, një ngjarje për të cilën janë të njoftuara të gjitha institucionet, por asnjëra nuk ka ndërhyrë për ta zgjidhur.
Ngjarja e fundit ka ndodhur dy ditë para vrasjes, kur motra e viktimës ka sulmuar me sëpatë prindërit e autorit, duke i plagosur rëndë. Pas kësaj, djali i çiftit ka pritur viktimën, Reshit Sallahun, në fshat, dhe, me një armë, ka qëlluar mbi të 8 herë, duke i marrë jetën.
Pas ngjarjes, Ylber Jaku ka pritur policinë në shtëpinë e tij, bashkë me armën e krimit, ndërkohë që para se të shkonte në shtëpinë e tij, ai ka vizituar prindërit e tij në spitalin Ushtarak. Pas tërheqjes së tij nga spitali, ai ka udhëtuar drejt Hasit, ku ka kryer krimin.
Konflikti mes dy familjeve fqinje është raportuar shumë herë tek autoritetet, por asnjë reagim nuk është marrë, duke çuar në ngjarjen tragjike me një të vrarë, dy të plagosur dhe dy persona të arrestuar.