Këshilltari special, Jack Smith, ka thënë të martën se ekipi i tij është duke finalizuar një raport me dy vëllime mbi hetimet e tij ndaj presidentit të zgjedhur, Donald Trump, dhe se të paktën një vëllim i tij mund të publikohet nga Departamenti i Drejtësisë të premten.
Njoftimi erdhi si përgjigje ndaj një kërkese të avokatëve mbrojtës, të paraqitur në gjykatë dhe në një letër drejtuar Prokurorit të Përgjithshëm, Merrick Garland, për të bllokuar paraprakisht raportin nga bërja publike, raporton AP.
Raporti pritet të përshkruajë vendimet e marra gjatë hetimeve të veçanta nga Smithi për grumbullimin e dokumenteve të klasifikuara nga Trumpi në pronën e tij në Mar-a-Lago në Florida dhe përpjekjet e tij për të përmbysur rezultatet e zgjedhjeve presidenciale të 2020-ës në prag të 6 janarit të vitit 2021, duke shkaktuar trazira në Kapitolin e SHBA-së.
Trumpi është akuzuar së bashku me dy të pandehur në çështjen e dokumenteve të klasifikuara, e cila u pushua në korrik nga një gjykatës i emëruar nga Trumpi, i cili arriti në përfundimin se emërimi i Smithit ishte i paligjshëm.
Trumpi është akuzuar gjithashtu në një çështje të ndërhyrjes në zgjedhje që u ngushtua ndjeshëm nga një vendim i Gjykatës Supreme lidhur me imunitetin presidencial.
Ekipi i Smithit i braktisi të dyja rastet në nëntor pas fitores presidenciale të Trumpit, duke përmendur politikën e Departamentit të Drejtësisë që ndalon ndjekjet federale të presidentëve në detyrë.
Avokatët e Trumpit, duke përfshirë Todd Blanche, i cili u zgjodh nga Trumpi për të shërbyer si zëvendësprokuror i tij i Përgjithshëm, i kërkuan Garland në një letër të bërë publike të hënën vonë, që të bllokonte publikimin e raportit dhe të largonte Smithin nga pozicioni i tij menjëherë, ose në të kundërtën, të kalojë raportin te prokurori i ardhshëm i Përgjithshëm.
Avokatët përmes letrës i kërkuan edhe gjykatëses së qarkut të SHBA-së, Aileen Cannon, që të bllokonte publikimin e raportit.
Në përgjigje të kësaj kërkese, ekipi i Smithit ka thënë në një paraqitje prej dy faqesh të martën herët se synonte të dorëzonte raportin e tij te Garland deri pasdite, dhe se vëllimi që i përket hetimit rreth dokumenteve të klasifikuara nuk do të bëhej publik para orës 10:00 të mëngjesit të së premtes.
Rregulloret e Departamentit të Drejtësisë kërkojnë që këshilltarët e posaçëm të emëruar nga prokurori i Përgjithshëm të paraqesin një raport konfidencial në përfundim të hetimeve të tyre.
Garland deri më tani ka bërë publike tërësisht raportet e krijuara nga këshilltarët specialë që vepronin nën mbikëqyrjen e tij, duke përfshirë raportin e Robert Hur mbi trajtimin e informacionit të klasifikuar nga presidenti Joe Biden dhe raportin e John Durham mbi hetimin e ndërhyrjes ruse në zgjedhje të FBI-së.