Është caktuar data se kur Apeli i GJKKO-së do të shqyrtojë ankimimin e Ilir Metës për lënien në fuqi të masës së sigurisë ‘arrest me burg’ ndaj tij nga GJKKO.
Mësohet se seanca do të zhvillohet me datën 17 Korrik. Me një vendim të datës 11 Korrik, Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar mori vendimin për ish-kreun e Shtetit duke lënë në fuqi masës së sigurisë nga “arrest në burg”.
Ilir Meta ndodhet në paraburgim që prej datës 21 tetor 2024, ndërsa mbrojtja e tij argumenton se janë shkelur afatet procedurale.
Sipas tyre, SPAK nuk ka paraqitur njoftimet periodike dy mujore, të parashikuara nga ligji për vazhdimin e masës së sigurisë.
Avokatët kërkojnë që kjo situatë të konsiderohet si shkak për zëvendësimin e masës me një formë më të lehtë sigurimi, siç mund të jetë “arresti shtëpiak” apo “detyrimi për paraqitje”.
VENDIMI I GJKKO
1. Kërkuesi/i pandehuri Ilir Metaj me datë 16.06.2025 ka paraqitur pranë Gjykatës
kërkesën me objekt: “1.Verifikim i kushteve të masës së sigurimit personal të arrestit me
burg për shtetasin Ilir Metaj, akuzuar për veprat penale të “Korrupsioni pasiv i personave
që ushtrojnë funksione publike”, “Falsifikimi i vulave, stampave ose formularëve”,
“Pastrimi i produkteve të veprës penale”; 2. Zëvendësimin e masës së sigurimit personal
“Arrest në burg”, në një masë tjetër nga ato që parashikon Kodi i Procedurës Penale”.
2. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe
Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtari Erjon Çela, bazuar në nenet
112 dhe 246/6 të K.Pr.Penale, me vendimin nr. 391, datë 26.06.2025 vendosi:
1. Rrëzimin e kërkesës së kërkuesit/të pandehurit Ilir Metaj.
2. Vijimin e zbatimit të masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “Arrest
në burg” e parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, e caktuar ndaj të pandehurit
Ilir Metaj me vendimin nr. 125, datë 20.10.2024 të Gjykatës së Posaçme të
Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
3. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim brenda 5 (pesë) ditëve në Gjykatën e
Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, afat i cili fillon nga
dita njoftimit të vendimit të gjykatës.
Tiranë, më datë 26.06.2025
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.